Zjarri përfshin një kamp migrantësh në Mitrovicë

Një pjesë e djegur e kampit të refugjatëve në Bajr të Mitrovicës.

Gjashtë migrantë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas shpërthimit të zjarrit në një kamp refugjatësh që ndodhet në fshatin Bajr të Mitrovicës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar incidentin.

“Në mëngjes është raportuar se është përfshirë nga zjarri një shtëpizë e banimit. Rasti konsiderohet si incident zjarri, shkaktim i rrezikut. Por, në këto rrethana duhet t’i presim hetimet”, tha Zahiti.

Kampi i refugjatëve në Bajr të Mitrovicës.

Zahiti ka thënë se nuk mund të japë më shumë detaje për këtë rast, pasi, sipas tij, duhet të priten rezultatet e hetimeve.

Ky kamp i migrantëve menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Muajve të fundit është rritur numri i migrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme që qëndrojnë apo shfrytëzojnë Kosovës si vendkalimi në rrugëtimin e tyre drejt vendeve evropiane.