Tsikhanouskaya: Përgjigjja ndërkombëtare në Bjellorusi është modeste

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të jenë “më të guximshme dhe më të fuqishme” në veprimet e tyre, të cilat do të ndihmonin në rrëzimin e liderit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Lukashenka e udhëheq Bjellorusinë qysh në vitin 1994.

Duke folur në një ngjarje online me disa ministra të Jashtëm të BE-së, Tsikhanouskaya i bëri thirrje bllokut që të përshpejtojë miratimin e paketës së katërt të sanksioneve kundër Lukashenkës dhe aleatëve të tij.

Ajo po ashtu kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar t’i hetojë abuzimet me të drejtat e njeriut në Bjellorusi dhe t’i etiketojë si terroristë përgjegjësit e tyre.

“Përgjigjja ndërkombëtare është ende shumë modeste”, tha Tsikhanouskaya në diskutimin “BE-ja dhe Bjellorusia në vitin 2021”.

Ajo është zhvendosur në Lituani, për arsye sigurie, qysh pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi.

Tsikhanouskaya dhe mbështetësit e saj thonë se ajo i ka fituar këto zgjedhje.

Por, Lukashenka ka shpallur fitoren, duke shkaktuar protesta të vazhdueshme kundër regjimit të tij.

Policia u është përgjigjur protestave me dhunë dhe me mijëra arrestime.

Lukashenka mohon çdo keqbërje dhe refuzon të negociojë me opozitën rreth dorëheqjes dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vende të tjera refuzojnë ta njohin Lukashenkën si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe kanë ndërmarrë një varg sanksionesh kundër tij dhe zyrtarëve të tjerë bjellorusë, për shkak të, siç është thënë, falsifikimit të zgjedhjeve dhe dhunës ndaj protestuesve.