Shefi i OKB-së bën thirrje për aleancë globale kundër supremacisë së bardhë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për veprim të koordinuar global, për të ndërtuar një aleancë kundër rritjes dhe përhapjes së neo-nazizmit dhe supremacisë së bardhë.

Shefi i OKB-së po ashtu ka bërë thirrje për veprim ndërkombëtar “për të luftuar propagandën, dezinformimin” dhe ringjalljen e ksenofobisë, anti-semitizmit, dhe gjuhës së urrejtjes, që është nxitur pjesërisht nga pandemia e koronavirusit.

Sekretari i Përgjithshëm ka thënë se është e dhimbshme, por jo befasuese se pandemia ka nxitur një tjetër shpërthim të mohimit të Holokaustit, shtrembërimit dhe zvogëlimit të peshës së historisë.

“Propaganda e lidhjes së hebrenjve me pandeminë, shembull, duke i akuzuar ata për krijim të virusit në kuadër të tentimeve për dominim në botë, do të ishte qesharake, nëse nuk do të ishte kaq e rrezikshme”, ka thënë ai.

Guterres ka bërë këto dekarata në organizimin e OKB-së për shënim të Holokaustit, pak para 27 janarit, që këtë herë shënon 76-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit, Aushvic.

Your browser doesn’t support HTML5

Aushvici, tragjedia më e madhe në historinë e njerëzimit

Kjo ceremoni është mbajtur në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë.

Shefi i OKB-së ka paralajmëruar se supremacistët e bardhë janë duke u organizuar dhe pas shumë dekadave të rënies në hije “neo-nazistët dhe idetë e tyre po rriten sërish”.

Guterres ka thënë se edhe autoritetet amerikane kanë paralajmëruar për rritje të neo-nazizmit në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën.

Në disa shtete, ata janë përfshirë në polici dhe shërbime të sigurimit dhe idetë e tyre mund të dëgjohen në debate të partive politike, ka deklaruar mes tjerash Guterres.