Osmani paralajmëron për "mbrojtje të integritetit të KQZ-së"

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) duhet ta ruajë integritetin e vet, derisa vendimet e takimit të së premtes në këtë institucion i ka konsideruar të pashembullta, të pahijshme dhe të papranueshme.

Përmes një adresimi në rrjetin social, Facebook, Osmani ka thënë se në mbledhjen e 22 janarit është ushtruar presion ndaj Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim dhe udhëheqësit të kësaj zyre.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar listat zgjedhore të subjekteve politike Vetëvendosje (VV), Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pasi këto parti nuk i kishin zëvendësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

KGJK kishte thënë se “janë 47 kandidatë nga rreth 1,080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”.

“Ajo çfarë ka ngjarë dje e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së. Por e kemi me çdo kusht që ta shpëtojmë këtë proces. Prandaj në asnjë moment e një asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të biem në kurthet që ndërtohen, me qëllim që ky proces të parandalohet dhe të stërzgjatet”, ka thënë Osmani në adresimin e saj.

Ajo ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që situata të tilla të ndodhin sërish në këtë institucion.

“Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla sikur ajo e djeshmja, ku abuzohet me KQZ-në si institucion i pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake si dhe forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civilë do të detyrohem të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhjet dhe ashtu siç më detyron kushtetuta e vendit”, ka thënë mes tjerash ajo.

Në takimin e së premtes Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t'i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë.

Ky propozim, sipas drejtorit të kësaj zyreje, Yll Buleshkaj, ka ardhur si rezultat i paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, pikë kjo që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vjetët e fundit.

Buleshkaj ka theksuar se zyra që ai drejton ka propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankesa më vonë.

Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së, të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvendësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.