Provat fillestare tregojnë se varianti i ri i koronavirusit, që u zbulua fillimisht në Britaninë e Madhe, mund të jetë më vdekjeprurës, tha kryeministri britanik, Boris Johnson.
Të dhënat janë bërë të ditura nga ekspertët, të cilët kanë krahasuar shkallën e vdekjeve te njerëzit me variantet reja dhe ato të vjetra të koronavirusit.
Varianti i ri - më infektues - tashmë është përhapur gjerësisht në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Johnson tha në një konferencë për media se "përveç përhapjes më të shpejt, varianti i ri mund të shoqërohet me një shkallë më të lartë të vdekshmërisë”.
"Për shkak të ndikimit të këtij varianti, spitalet janë nën presion kaq të fortë", tha Johnson.
SHIKONI EDHE: CDC: Varianti i ri i COVID-19 mund të bëhet dominues në SHBAHulumtimet janë bërë nga nje grup shkencëtarësh, të cilët e kanë informuar qeverinë britanike. Grupi arriti në përfundimin se ekziston një "mundësi reale" që virusi të jetë bërë më vdekjeprurës, por megjithatë kjo nuk ishte e sigurt.
Patrick Vallance, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë, tha se të dhënat nuk janë ende "shumë të fuqishme ".
"Dua të theksoj se ka shumë pasiguri rreth këtyre shifrave dhe na duhet më shumë punë për të pasur të dhëna të sakta", tha ai.
Varianti i ri u zbulua për herë të parë në Kent të Britanisë së Madhe në muajin shtator të vitit 2020. Ai është përhapur në më shumë se 50 vende të tjera.
Vaksina kundër koronavirusit e Pfizer dhe ajo e Oxford-AstraZeneca pritet që të funksionojnë kundër variantit të ri. Patrick Vallance tha se ka shqetësime për ndikimin e vaksinës në dy variante të tjera që ishin shfaqur në Afrikën e Jugut dhe Brazil.