Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se akuzat e partive politike ndaj saj dhe ndaj institucionit që udhëheqë, kanë për qëllim që të “pamundësojnë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.
Në një konferencë për media të enjten, Daka tha se kërcënimet publike ndaj saj dhe "shqetësimet që po i përjeton familja ime janë të paprecedente dhe të rrezikshme".
Ajo nuk tregoi në mënyrë specifike se nga cila parti ka pranuar kërcënime dhe nuk pranoi pyetje lidhur me atë se kush po e kërcënon.
Këto deklarata të Dakës vijnë vetëm një ditë pasi KQZ-ja njoftoi se ka marrë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ku thuhej se 47 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk janë përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
SHIKONI EDHE: Kandidatët me probleme ligjore, standard i partive politikeNë bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit.
Daka tha se ajo do ta zbatojë këtë ligj dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit të kaluar për rastin e deputetit Etem Arifi.
“Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë veten në listën e Këshillit Gjyqësor si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidatë për deputetë, do t’u them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: është ligji, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”, tha Daka, duke shtuar se çdokush që mendon se i është bërë e padrejtë mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe në Gjykatën Supreme.
“Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështetë asnjë parti politike dhe që asnjëherë nuk ka qenë pjesë e partive politike”, tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Nënëkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë një emisioni në Tv Dukagjini, më 20 janar, deklaroi se moscertifikimi i 47 deputetëve, përfshirë këtu edhe kreun e partisë së tij, Albin Kurtin, po bëhet për eliminime politike dhe për të respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetutuese.
"Personi i cili në KQZ po ndikon, që edhe kërkesa të jetë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka", tha Konjufca.
"Kurrgjë ata nuk po zbatojnë, ata po duan eliminim politik", shtoi ai.
Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla reagoi të enjten, pas deklaratës së Dakës së ndihet e kërcënuar.
Ai tha se Daka duhet ta dijë se nuk është vitit 2020, kur president i Kosovës ishte Hashim Thaçi dhe se “Kosova tash ka presidente të re, znj. Vjosa Osmani”. Ai po ashtu tha se Daka “nuk nuk bën që preferencën e saj personale ta keqpërdorë si kryetare e KQZ-së”.
KMDLNJ kërkon që policia të hetojë kërcënimet ndaj KQZ-së
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar që të ndalen kërcënimet dhe sulmet ndaj KQZ-së dhe anëtarëve të saj, në “mënyrë që të mos pengohet puna e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve”.
“Presioni është krejtësisht i natyrës politike e që, për qëllim e ka nënshtrimin e KQZ-së ndaj subjekteve të caktuara politike”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Ky institucion ka kërkuar që Policia e Kosovës të hetojë kërcënimet ndaj KQZ-së dhe u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë vendimet e institucionet që organizon zgjedhjet.
“Subjektet politike duhet të tregohen të përgjegjshme dhe të zbatojnë vendimet e KQZ-së, pasi t’i kenë shfrytëzuar rrugët ligjore dhe të mos lejojnë zbatim të standardeve të dyfishta. Pikërisht këta, me shembullin e tyre duhet të tregojnë se janë për ligjin, shtet të së drejtës dhe shtet ligjor pavarësisht forcës politike, përkatësisë partiake, etnike etj”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
SHIKONI EDHE: KQZ: Certifikimi i kandidatëve, pas verifikimitAmbasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde u ka kërkuar të gjitha palëve që të respektojnë procesin dhe rregullat, në mënyrë që të ketë zgjedhje të drejta dhe transparente.
“Është e rëndësishme që institucionet e pavarura dhe organet përkatëse gjyqësore të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje”, ka thënë Rohde në një postim në Twitter.
Komisioni Qendror i Zgjedheve ka thënë se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatitë rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Këto rekomandime do të paraqiten më pas në mbledhjen e KQZ-së. Vendimin për aprovim ose refuzim, KQZ-ja do ta marrë më së largu deri më 22 janar.
Subjektet politike apo kandidatët që nuk certifikohen mund të bëjnë ankesa deri më 31 janar, ka njoftuar KQZ-ja të mërkurën.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është nga 47 kandidatët që nuk do të mund të garojë si deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të enjten komentoi njoftimin e KQZ-së, ku tha se ai është "bartës liste".
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, për pjesëmarrje kanë kandiduar 28 subjekte politike me 1080 kandidatë për deputetë.