Myslimanë dhe të krishterë luten bashkë për të sëmurët me COVID-19

Një grua gjatë lutjeve para një spitali në Afrikën e Jugut.

Në qytetin bregdetar të Afrikës së Jugut, Kejp Taun, janë bërë bashkë myslimanë dhe të krishterë, krah për krah, dhe me duart e hapura drejt qiellit, për t’u lutur për pacientët me koronavirus dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Grupet fetare të të gjitha besimeve dhe prejardhjeve kanë marrë pjesë në lutje të përbashkëta jashtë spitaleve, si një mbështetje shpirtërore derisa një valë e dytë e pandemisë po bën kërdi në të gjithë vendin.

Banorët e Kejp Taun duke u lutur pranë një spitali ku po trajtohen të sëmurët me COVID-19.

"Në rrethana normale çdo udhëheqës në këtë komunitet do të shkonte lirshëm në shtëpinë e një personi të sëmurë ose të pikëlluar", tha pastori Gerhard de Vries Block i Kishës Protestante Evangjeliste.

"Por, për shkak të bllokimit nuk na lejohet ta bëjmë më atë", tha ai.

Imami, Sheigh Salieg Isaacs, është lutur në hyrje të disa spitaleve.

"Tani për tani ne po i bëjmë lutjet vetëm në spitale. Por, po mendojmë të shkojmë së shpejti në bujtina dhe në disa shtëpi të pleqve", tha ai për AFP-në.

Një pacient me COVID-19 përshëndet nga dritarja.

Nisma është një mënyrë për të shprehur solidaritetin me pacientët që luftojnë vetëm me COVID-19, të izoluar nga familja dhe miqtë në pavijonet e spitalit.

"Punëtorët e vijës së frontit kanë nevojë për mbështetjen tonë. Ata kanë nevojë për lutjet tona po aq sa të sëmurët dhe të pikëlluarit", tha de Vries Block.

Ndërsa Imami Isaacs tha se pjesëmarrësit të cilët personalisht njohin një pacient ose punëtor shëndetësor luten jashtë dritareve të tyre.

Çdo organizim është i kufizuar në 15 persona, me maska për fytyrë dhe distancim fizik. Vizitorëve të papritur u kërkohet të qëndrojnë në makinat e tyre.

Afrika e Jugut ka regjistruar shifrat më të larta në kontinent me koronavirus, me mbi 1.3 milionë raste dhe 37.000 vdekje të konfirmuara deri më tani.

Vala e dytë e pandemisë filloi në dhjetor dhe karakterizohet me një variant të ri të virusit që besohet se është më infektues.