Dodik vendos kushte për kthimin e ikonës në Ukrainë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik.

Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, tha se do t’ia kthejë ikonën Ukrainës, nëse ky vend dëshmon se e ka kërkuar atë para se ai t’ia bëjë dhuratë ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.

"Ekziston një deklaratë nga Agjencia për Koordinimin e Organeve Policore të Bosnje dhe Hercegovinës, e cila është përgjegjëse për bashkëpunimin me Interpolin, se Interpoli nuk ka asnjë informacion në lidhje me kërkimin e ikonës", tha Dodik në një intervistë për agjencinë Srna.

Më 6 janar, ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba , njoftoi në profilin e tij në Twitter se Ukraina ende kërkon kthimin e ikonës, të cilën Dodik ia dhuroi Lavrovit, gjatë qëndrimit të tij në Bosnje dhe Hercegovinë në muajin dhjetor të vitit 2020.

Menjëherë pasi u publikuan pamjet e ikonës 300-vjeçare, Ambasada e Ukrainës në Bosnjë dhe Hercegovinë i dërgoi një notë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës duke u kërkuar atyre "informacion të hollësishëm mbi origjinën e saj”.

Prokuroria në Bosnje ka nisur hetimet për këtë çështje.

SHIKONI EDHE: Rusia do ta kthejë në Bosnjë dhuratën që Dodiku i bëri Lavrovit

Ikona dyshohet të jetë kontrabanduar në mënyrë të paligjshme nga Ukraina lindore e shkatërruar nga lufta.

Më 23 dhjetor, Rusia ktheu ikonën në Ambasadën e Bosnjë dhe Hercegovinës në Moskë.