Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara (FBI) tha se ka marrë rreth 100.000 mijë prova digjitale nga protestat e dhunshme të 6 janarit në Uashington dhe se kanë hapur më shumë se 160 lënd si dhe kanë akuzuar 70 persona deri më tani.
Steven D'Antuono, ndihmësi i drejtorit, përgjegjës i zyrës së FBI-së në Uashington, tha se numri i aktakuzave pritet të arrijë në qindra.
FBI u bëri thirrje atyre që kanë qenë të përfshirë në trazira që të vetdorëzohen para organeve të ligjit.
"Edhe nëse largoheni nga Uashingtoni, agjentët nga zyrat tona lokale do t'ju trokasin në derë", paralajmëroi D'Antuono.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja në kërkim të sulmuesve të KongresitMë herët FBI paralajmëroi protesta të mundshme të armatosura në të gjithë Shtetet e Bashkuara, përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar.
Agjencia federale e zbatimit të ligjit tha se “protestat e armatosura” mund të planifikohen në të 50 kryeqytetet e shteteve dhe në ndërtesën e Kongresit, nga data 16 janar deri së paku më 20 janar.
Në shumicën e shteteve, me përjashtim të Uashingtonit, mbajtja hapur e armëve është e ligjshme.
Paralajmërimi vjen derisa Uashingtoni dhe legjislaturat e shteteve janë duke rritur sigurinë, pas dhunës së turmave, javën e kaluar në Kongres.
Pesë njerëz kanë vdekur gjatë sulmit në Kongres, pasi presidenti Donald Trump i ka nxitur mbështetësit me pretendime të pabazuara për mashtrime në zgjedhje.