Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk është e gatshme për zgjidhje kompromisi me Serbinë dhe se konflikti i ngrirë midis dy vendeve vazhdon.
Duke folur për një televizion lokal serb, Vuçiq tha se ideja e përkufizimit të kufijve, e përfolur edhe më herët, paraqet një zgjidhje, me të cilën Serbia do të ishte “po aq e kënaqur dhe po aq e pakënaqur sa edhe shqiptarët”.
Ideja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, që Vuçiq e ka cilësuar si “përkufizim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, është shpërfaqur për herë të parë në verë të vitit 2018.
Ajo ka nxitur reagime për dhe kundër, si në Kosovë dhe në Serbi, ashtu edhe te komuniteti ndërkombëtar.
SHIKONI EDHE: Thaçi shpalos para Vuçiqit idenë për korrigjim të kufijveAutoritetet në Kosovë përfundimisht e kanë hedhur poshtë idenë e tillë, duke thënë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Vuçiq, duke folur për mediat serbe, tha po ashtu se “shqiptarët kanë marrëveshje me Bashkimin Evropian për të mos respektuar Marrëveshjen e Brukselit”.
Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por palët kanë fajësuar vazhdimisht njëra-tjetrën për mosrespektimin e pikave të saj.
Kosova dhe Serbia, tash e dhjetë vjet gati, janë duke biseduar për normalizimin e marrëdhënieve.
Herën e fundit, kryeministri tashmë në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar më 7 shtator.