Qytetarët serbë do të mund të zgjedhin vaksinën kundër koronavirusit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq duke u vaksinuar kundër koronavirusit në fund të muajit dhjetor 2020.

Të hënën Serbia e lëshon në funksion një sistem online të regjistrimit për vaksinim, përmes së cilit qytetarët do të kenë mundësi të regjistrohen për imunizim ndaj COVID-19, por edhe të zgjedhin se cilën vaksinë dëshirojnë ta marrin. Serbia është furnizuar me vaksinën e kompanive perëndimore Pfizer/BioNtech si dhe me atë ruse Sputnik-V. Ky vend planifikon të furnizohet edhe me vaksinën kineze kundër koronavirusit.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, shpjegoi se përcaktimi i qytetarëve se, me cilën vaksinë dëshirojnë të imunizohen, do të ndihmojë autoritetet në "planifikimin e nevojave të mëtejshme në sistem dhe përfshirjen e të dhënave në planin e vaksinimit masiv".

"Nga nesër (11 janar), aplikimi do të fillojë përmes portalit eUprava, ku të gjithë qytetarët do të jenë në gjendje të shprehin dëshirën e tyre për t'u vaksinuar dhe nga e enjtja (14 janar), ai aplikim do të jetë i mundur edhe përmes telefonit", tha Bërnabiq.

SHIKONI EDHE: Vaksina ruse Sputnik V arrin në Serbi


Kryeministrja serbe tha se do të ketë numër të mjaftueshëm të vaksinave, sepse sipas saj, Serbia ka marrëveshje për tetë milion vaksina që mund të vaksinojnë katër milion qytetarë. Vaksinat kundër koronavirusit merren me dy doza.

"Institucionet përkatëse kineze kanë miratuar eksportin e vaksinës 'Sinofarm' në Serbi. Ne po marrim gjithashtu 18,525 vaksina shtesë nga Pfizer dhe ne presim 500,000 doza të vaksinës Sputnik-V", tha Bërnabiq pasi ishte prezente në vaksinimin e punëtorëve në një klinikë mjekësore universitare.

"Shpresoj se do të jemi në gjendje të përfundojmë vaksinimin deri në maj ose qershor. Nëse kemi sukses, ne do të jemi një nga vendet e para që do ta përfundojmë atë në Evropë", tha Bërnabiq.

Nga kontinenti evropian, vetëm Serbia dhe Bjellorusia janë furnizuar me vaksinën ruse Sputnik-V.

Vetë Bërnabiq është vaksinuar me atë të kompanisë Pfizer, por, kryetari i Kuvendit, Ivica Daçiq dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vullin janë imunizuar me vaksinën ruse.