Kompania amerikane, Pfizer nuk e konfirmoi një marrëveshje me Qeverinë në detyrë të Kosovës, për sigurimin e dozave të vaksinës kundër koronavirusit, por tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke u zhvilluar diskutime.
"Jemi në diskutime me Qeverinë e Kosovës për t’i ofruar qasje në vaksinë. Diskutimet me qeverinë janë konfidenciale dhe ne nuk kemi asnjë njoftim të ri për të bërë në këto momente”, thanë nga kompania Pfizer.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës thotë se ka marrë rikonfirmimin nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
“Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar me Pfizer marrëveshjen për konfidencialitet lidhur me vaksinat dhe detajet teknike për sigurimin e vaksinave janë duke u zhvilluar sipas parimeve të përcaktuara në këtë marrëveshje”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
SHIKONI EDHE: Nga shkurti, 20 mijë qytetarë do të vaksinohen kundër koronavirusit brenda ditësMinistria e Shëndetësisë ka përsëritur qëndrimin se në Kosovë vaksinat e para do të arrijnë në muajin shkurt dhe do të nisë fushata e vaksinimit, sipas grupeve me prioritet, të përcaktuara në një strategji të imunizimit.
“MSH rikonfirmon se Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro për sigurimin e vaksinave dhe përmbushjes së nevojave të tjera në luftën kundër COVID-19 dhe qytetarët do ta marrin falas vaksinën kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.
Më herët, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kanë shpalosur strategjinë e imunizimit, ku kanë thënë se grupet e para që do të vaksinohen do të jenë punëtorët dhe stafi shëndetësor, personat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Kryeministri në detyrë, Hoti ka thënë se Kosova ka siguruar edhe 600 mijë doza të vaksinës – pa specifikuar se të cilës kompani janë – nga shteti i Austrisë.
Kosova po ashtu pritet të marrë 720 mijë doza falas nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, program që ka për synim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra.