Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka thënë se Kuvajti dhe Iraku janë vendet ku Forca e Sigurisë së Kosovës do të mund të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse, në kuadër të misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas, të Ushtrisë Amerikane. Ai e konfirmoi këtë pas një vizite që kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti i bëri FSK-së.
Gjenerallejtënant Rama tha se këto vende kanë qenë si opsione që janë shqyrtuar dhe se tani pritet konfirmimi zyrtar. Sipas tij, FSK-ja mund të dërgohet në këto misione në muajin mars.
Të martën, Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin e qeverisë për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Gjatë vizitës në FSK, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ndihet i "privilegjuar" që gjatë mandatit të tij në krye të ekzekutivit u miratua vendimi për dërgimin e FSK-së në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët dhanë miratimin për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse, në kuadër të Forcës Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.
SHIKONI EDHE: Kuvendi voton për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtësePërmes një reagimi të mërkurën, Ambasada Amerikanë në Prishtinë ka thënë se votimi unanim i Kuvendit për lejimin që Forca e Sigurisë së Kosovë të ketë partneritet më Ushtrinë e SHBA-së në misionet e ardhshme paqeruajtëse, demostron se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj të përbashkët për paqen dhe sigurinë në botë.
Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ky vendim më pas i ishte dërguar Kuvendit të Kosovës.
FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.
Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura.
Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet.
*Në versionin e parë të këtij lajmi është cituar që dërgimi i FSK-së në Irak dhe Kuvajt është thënë nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.