Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, refuzoi të nënshkruajë dekretin për tërheqjen e shtatë ambasadorëve dhe kërkoi një shpjegim lidhur me pretendimet "se ata kishin punuar kundër interesave të shtetit".
"Një vlerësim i tillë meriton një shpjegim. Së pari, për shkak të njerëzve në fjalë. Jo më pak e rëndësishme, për shkak të vendeve pritëse ku ata kryejnë detyrën e ambasadorit. Dhe nuk është e parëndësishme, edhe për shkak të presidentit malazes i cili nënshkroi letra kredenciale duke i rekomanduar ata te krerët e shteteve pritëse", deklaroi Gjukanoviq.
SHIKONI EDHE: Gjukanoviq ia kthen parlamentit amendamentet e Ligjit për liritë fetareAi shtoi se nëse do ta nënshkruante dekretin, kjo do të thoshte se ai pajtohej me ato vlerësime "politike dhe hakmarrëse".
Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq, tërhoqi ambasadorët malazezë: në Kinë, Darko Pajoviq, në Serbi, Tarzan Millosheviq, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dushanka Jekniq, në Vatikan, Miodrag Vllahoviq, në Itali Sanja Vllahoviq, në Bosnjë dhe Hercegovinë, Obrad Misho Stanisiq dhe ambasadoren në Gjermani, Vera Kulish.
Në mes të dhjetorit, qeveria e re malazeze e kryeministrit Zdravko Krivokapiq, propozoi tërheqjen e shtatë ambasadorëve të emëruar nga ish-qeveria e Partisë Demokratike të Socialistëve e presidentit, Millo Gjukanoviq dhe sipas Ligjit për Punët e Jashtme, dekreti duhet të nënshkruhet nga presidenti Gjukanoviq.
Qeveria e re, e zgjedhur më 4 dhjetor, është e para, pas tre dekadash, që nuk udhëhiqet nga Partia Demokratike e Socialistëve.