Rimëkëmbja ekonomike dhe krijimi i vendeve të reja të punës duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Kosovës për vitin 2021, thotë Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës dhe Safet Gërxhaliu, ekspert për çështje ekonomike.
Gjatë vitit të kaluar, pandemia e shkaktuar nga koronavirusi dhe masat kufizuese për parandalim e saj, në Kosovë kanë ndikuar në përkeqësimin financiar të bizneseve dhe këto pasoja, sipas tyre, duhet të evitohen.
Zeka: Prioritet hartimi i një strategjie nacionale të zhvillimit
Masat e deritashme të rimëkëmbjes ekonomike për ndihmë bizneseve të goditura nga pandemia, nga qeveria janë realizuar në mënyrë ad-hoc, thotë Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK).
Prandaj, gjatë këtij viti, qeveria e re, së bashku me partitë politike, përfaqësues të komunitetit të biznesit, ekspertë dhe profesorë universitarë duhet të hartojnë një strategji nacionale të zhvillimit ekonomik, thotë Zeka.
“Pastaj, kjo strategji të mund të shndërrohet në një dokument që do ishte shtyllë e zhvillimit ekonomik në të ardhmen, edhe në rast të ndryshimit të qeverive, meqenëse tashmë po e shohim se realisht asnjë qeveri, jo vetëm që nuk po mund të arrijë të përfundojë mandatin, por as gjysmën e tij”, theksoi Zeka.
SHIKONI EDHE: Vite për t'u rimëkëmbur ekonomiaEdhe Safet Gërxhaliu, ekspert për çështje ekonomike, shprehet se institucionet e dala nga zgjedhjet e reja, në fokus duhet të kenë rikuperimin për bizneset, sundimin e rendit dhe ligjit dhe përmirësimin e ambientit për investimet e huaja, sidomos për të motivuar investimet nga shtetasit e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës.
“Në këtë drejtim, viti 2021 do jetë mjaft sfidues. Nëse vendeve të rajonit do t’iu duhen dy ose tri vjet për të marrë hapin për rimëkëmbje ekonomike, Kosovës do t’i duhet dyfishi sepse vërtet është bërë shumë pak për të mbështetur dhe sanuar pasojat e kësaj pandemie”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu: Politika sfidon ekonominë
Duke marrë parasysh situatën e rëndë politike, pasi Kosova përmbylli vitin me qeveri në detyrë, Zeka dhe Gërxhaliu thonë se qeveria e re, që do të dalë pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duhet me gjithë kapacitetin të angazhohen për rikuperim e dëmeve ekonomike nga pandemia, pasi viti 2021 do jetë sfidues për shkak të pasojave të shkaktuara nga pandemia më 2020.
SHIKONI EDHE: Humbje miliardëshe, ndihmë milionësheQeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, pasi e shpalli të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës dhe urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke e lënë Qeverinë Hoti si qeveri në detyrë.
Për shkak të kësaj, Gërxhaliu, vlerëson se viti 2021 është vit i gjykuar për të dështuar në aspektin ekonomik, pasi sipas tij, edhe gjatë këtij viti do të dominojnë çështjet politike, për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen.
“Mjerisht, në një vend ku agjenda politike është e tillë, ngufatet ekonomia dhe mirëqenia sociale dhe shumë vende të rajonit nuk do kishin pasur mundësi të përballojnë që të kenë tri qeveri brenda një viti kalendarik. Por, Kosova po sfidohet jo nga jashtë, por më shumë nga brenda nga mosstabiliteti politik”, thekson ai.
Ndërkaq, Arian Zeka shprehet se ndikimi ekonomik që pandemia ka pasur në ekonomi, pashmangshëm do bartet edhe gjatë këtij viti. Por, ai thotë se kërkohet reagimi i institucioneve kompetente.
“Për të mos tingëlluar shumë pesimist, nëse bazohemi se çfarë ka ndodhur në vitin 2020 dhe si ka qenë reagimi institucional, atëherë shpresat janë të zbehta se do të mund të shohim një rikuperim të shpejtë dhe të plotë, brenda vitit 2021. Në fakt, ajo që duhet cekur është se ka mundësi që efektet e krizës të vërehen edhe në vitin 2022, e tutje”, thekson Zeka.
SHIKONI EDHE: Pandemia dhe skandali i mbi dy milionë euroveGAP: Qeveria të ndihmojë bizneset në mënyrë proporcionale me dëmin
Ndryshe, sipas Administratës Tatimore të Kosovës, në nëntëmujorin e parë të vitit 2020, u deklaruan mbi një miliard euro më pak të hyra se në periudhën e njëjtë të vitit 2019.
SHIKONI EDHE: Biznesi që i bëri ballë pandemisëNga kjo shifër, pandemia COVID-19 ka goditur në mënyrë joproporcionale industri të ndryshme të ekonomisë në Kosovë. Sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, thuhet se aktivitetet ekonomike që kanë pësuar më se shumti humbje janë industria e arteve, argëtimit dhe rekreacionit (79%), patundshmëria (44%), transporti, magazinimi (43%), akomodimi dhe shërbimi ushqimor (37%).
Ndihmat e qeverisë, sipas këtij instituti, deri më tani ka qenë uniforme për të gjitha industritë ekonomike, prandaj ky institut i rekomandon qeverisë të marrë parasysh industritë që kanë rënie më të lartë dhe t’i targetojë ato me fonde të cilat janë proporcionale me dëmin që kanë pësuar.
Për të t’u rikuperuar ekonomia nga efektet negative nga COVID-19, Kuvendi i Kosovës pas shtatë dështimesh, më 4 dhjetor 2020, arriti të votojë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19. Në bazë të këtij, ndërmarrjeve private u ofrohen lehtësira në aspektin financiar dhe ligjor.
Në aspektin financiar, qeveria në detyrë ka ndarë një fond prej rreth 200 milionë eurosh për bizneset që kanë vështirësi financiare, shpërndarja e të cilave pritet të fillojë në muajit e parë të këtij viti.