Një epokë e re nisi të premten për Mbretërinë e Bashkuar, pasi përfundoi ndarjen zyrtare nga Bashkimi Evropian.
Nga mesnata, midis dy palëve, hynë në fuqi marrëveshjet për udhëtim, tregti, migrim dhe bashkëpunim në siguri.
“Kemi lirinë në duart tona”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson.
Tani që procesi i shkëputjes nga BE-ja ka përfunduar, “ne kemi zotësinë për t'i bërë gjërat ndryshe dhe më mirë”, tha Johnson.
Britania ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian në një referendum të mbajtur më 23 qershor të vitit 2016.
Pas disa vitesh negociata, ajo e ka lënë BE-në më 31 janar të vitit 2020. Periudha e tranzicionit ka vazhduar deri më 31 dhjetor.
Britania ka qenë anëtare e bllokut që fillimisht është njohur si Komuniteti Evropian Ekonomik, qysh në vitin 1973.
Ideja e referendumit është hedhur në vitin 2013 nga kryeministri i atëhershëm britanik, David Cameron.
Cameron, i bindur se referendumi nuk do të kalojë, ka dhënë dorëheqje pasi 52% e britanikëve kanë votuar për dalje nga BE-ja.