Kuvendi i Kosovës miraton Ligjin për buxhetin e vitit 2021

Kuvendi i Kosovës - foto arkivi

Me 85 vota për, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2021. Vota kundër dhe abstenime nuk pati.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 86 vota, fillimisht miratuan pakon prej 12 amendamenteve të projektligjit, të cilat janë përkrahur nga Komisioni funksional.

Buxheti i miratuar për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me qëllim që buxheti të miratohej përpara se të shpërndahet Kuvendi dhe të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës pritet të ndodhë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila, më 21 dhjetor, ka konstatuar se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

SHIKONI EDHE: Reagimi i BE-së: Të miratohet sa më parë buxheti i Kosovës

Më herët, ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, kërkoi nga deputetët e Kuvendit që ta votojnë Projektbuxhetin, në mënyrë që, siç tha ajo, të mos bllokohen institucionet e Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, projektligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga presidenti i Republikës së Kosovës, tetë ditë pasi ta ketë marrë ligjin.

Nëse presidenti gjatë kësaj periudhe nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e presidentit dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse në vetë ligjin nuk përcaktohet ndryshe.