Qeveria në detyrë e Kosovës tha se nuk ka asnjë të dhënë nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, se në Kosovë kanë hyrë vaksina kundër sëmundjes COVID-19, të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit.
Të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit me vaksinën Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.
“Nëse këto vaksina kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barna”, thuhet në deklaratën e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Sipas saj, institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë në lidhje me këtë çështje, as përmes Zyrave Ndërlidhëse, as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Vuçiq tha të premten se vaksinimi ka filluar në Leposaviq dhe se do të nisë edhe në Mitrovicë.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Fillon vaksinimi në veri të KosovësSistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.
Vaksina Pfizer/BioNTech ka arritur në Serbi më 22 dhjetor.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se vaksinat nuk kanë hyrë në Kosovë përmes Entit të Shëndetit Publik, i cili funksionon brenda sistemit serb në veri.
Partia Demokratike e Kosovës tha të shtunën se Serbia, përmes pandemisë, po e cenon sovranitetin e Kosovës.
“Kjo mënyrë e depërtimit të Serbisë në Kosovë - njëherë me teste, pastaj me personel shëndetësor, e sot edhe me vaksina, shpërfaq strategjinë e Serbisë, që përmes pandemisë, ta shkelë dhe dobësojë sovranitetin e Kosovës dhe ta avancojë agjendën e saj kundër shtetit tonë”, tha sekretari i PDK-së, Uran Ismaili.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se institucionet janë të angazhuara që sa më shpejt ta sigurojnë vaksinën, por nuk ka konfirmuar nëse Kosova po zhvillon negociata me kompanitë Pfizer dhe BioNTech për sigurimin e vaksinës së tyre.
SHIKONI EDHE: Negociatat konfidenciale për vaksinën