Një shpërthim në qytetin Nashvill të SHBA-së, mëngjesin e së premtes, ka qenë “incident i qëllimshëm i bombardimit”, thanë autoritetet lokale.
Shpërthimi masiv la tre persona të plagosur dhe dëmtoi rëndë disa ndërtesa historike.
Shefi i policisë, John Drake, u tha gazetarëve se tash për tash nuk ka viktima të konfirmuara.
Ai tha se qyteti nuk ka marrë ndonjë kërcënim përpara shpërthimit dhe se motivi i mundshëm i sulmit është i panjohur.
Shpërthimi ka qenë një “surprizë totale” për policinë, tha Drake. “Ne nuk kishim fare paralajmërime”, shtoi ai.
Kryebashkiaku John Cooper tha se tre personat e plagosur janë në gjendje të qëndrueshme në spital.
Cooper e cilësoi shpërthimin si “sulm të egër dhe frikacak” dhe tha se ai ka shkaktuar “dëme katastrofike” në një pjesë historike të qytetit, e cila është e njohur për muzikën amerikane “country”.
FBI është duke hetuar incidentin dhe kërkoi nga publiku informacione që mund të ndihmojnë.