Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kanë hartuar një plan të veprimit për vaksinimin kundër koronavirusit të ri, që do të nisë së zbatuari kur të arrijnë vaksinat, por nuk tregoi se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
Hoti këto komente i bëri gjatë vizitës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), ku falënderoi stafin shëndetësor për punën e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Tash jemi para një situate të re, ku po presim që vaksina të shpërndahet. Kemi bërë përpjekjet maksimale – ministri (i Shëndetësisë, Armend Zemaj) – në veçanti, me plotë vizita e kontakte, që të jemi në mesin e vendeve të para që e marrim këtë vaksinë dhe me (drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadanin) doktor Naserin kemi përpiluar një plan të veprimit, me grupe të caktuara të qytetarëve, duke filluar nga stafi shëndetësor, të sëmurët kronikë dhe të tjerët, që të jenë në mesin e të parëve që marrin vaksinën”, tha Hoti.
Kosova pret që të marrë vaksina kundër koronavirusit për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, program ky që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra.
Pjesën tjetër të vaksinave, Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës, ka thënë se do t’i blejë vetë. Por, të pyetur ditë më parë nga Radio Evropa e Lirë, nëse Ministria e Shëndetësisë është duke negociuar me kompaninë amerikane Pfizer – vaksina e së cilës ka nisur të administrohet në vende të ndryshme të botës – ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se këto informata janë konfideciale.
SHIKONI EDHE: Negociatat konfidenciale për vaksinënNë Serbi, të enjten nisi vaksinimi kundër koronavirusit, pasi më 22 dhjetor, arriti kontingjenti i parë me vaksinat e kompanisë Pfizer dhe BioNTech.
Hoti po ashtu ka thënë se që prej paraqitjes së rasteve të para me koronavirus në muajin mars, autoritetet shëndetësore kanë menaxhuar mirë situatën me pandeminë dhe ka shtuar se Kosova është bërë model “në veçanti kur i kemi parasysh resurset e kufizuara, edhe me mjekë e edhe me shtretër”.
Kryeministri në detyrë, Hoti tha se duket se pandemia është drejt fundit, andaj kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat mbrojtëse.