Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shprehu ndjeshmëri ndaj familjeve që luftojnë me pasojat e koronavirusit, ndërsa përshëndeti miratimin e paketës së ndihmës nga Kongresi amerikan.
Në një fjalim të drejtpërdrejtë të fundvitit nga shteti i tij Dellauer, Biden përmendi punëtorët e vijës së frontit, shkencëtarët, studiuesit, pjesëmarrësit e provave klinike dhe familjet e ushtarëve që shërbejnë gjatë sezonit të festave.
“Jeni gjithmonë në zemrat tona, kini besim”, tha Biden.
“Ky sezon i reflektimit ka një domethënie shumë më të thellë sesa zakonisht”, tha ai.
Biden u bëri thirrje amerikanëve që të vazhdojnë të marrin masa paraprake për të frenuar përhapjen e koronavirusit, i cili ka vrarë mbi 320,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara.
“[Zonja e Parë] Jill dhe unë lutemi, ashtu si edhe të gjithë ju, për të gjithë ata që po përballen me këtë dimër të errët”, tha Biden.
Ditë më parë, Biden ka paralajmëruar se amerikanët “nuk do të mund të udhëtojnë gjatë këtyre festave”.
Më 21 dhjetor, ai ka marrë vaksinën kundër koronavirusit.
“Po pres dozën e dytë. Kam besim absolut në vaksinë”, tha të martën Biden.
Biden po ashtu tha se Ligji për ndihmë ekonomike, në vlerë prej 900 miliardë dollarësh, i miratuar nga Kongresi më 21 dhjetor, është “vetëm hapi i parë” i ndihmave që ai planifikon t’i prezantojë, kur të marrë detyrën muajin e ardhshëm.
“Si të gjitha kompromiset, ky është larg të qenët i përsosur. Kongresi e ka bërë punën e tij këtë javë dhe unë mund dhe duhet t’i kërkoj që ta bëjë atë sërish vitin e ardhshëm”, tha Biden.
SHIKONI EDHE: Ligjvënësit amerikanë miratojnë paketën e ndihmës ekonomikePresidenti i zgjedhur gjithashtu tha se autorët e një sulmi masiv kibernetik ndaj Qeverisë amerikane, duhet të përballen me pasoja.
“Nuk mund ta lejojmë të kalojë pa përgjigje”, tha Biden.
Qeveria amerikane dhe ekspertët e sigurisë kibernetike janë ende duke bërë përpjekje për të kuptuar shkallën e plotë të sulmit.
SHIKONI EDHE: Sulmi në Departamentin amerikan të Thesarit "duket se ka qenë i madh"