Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, tha se gjatë takimit që zhvilloi me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmendur 7 shkurtin si datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Gjithsesi ky është takim preliminar dhe besoj që në takimet, pas aktgjykimit të plotë [të Gjykatës Kushtetuesve], e caktojmë edhe më saktë datën”, tha Abrashi pas takimit me Osmanin.
Abrashi tha se në të kaluarën, LDK-ja ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen në janar, në mënyrë që të mund të përfundojnë të gjitha procedurat zgjedhore përpara se Osmanit t’i skadojë mandati gjashtëmujor si ushtruese e detyrës së presidentit.
“Ne, si LDK, edhe më herët kemi deklaruar se jemi të gatshëm për zgjedhje, duke parë edhe kontekstin politik, edhe rrethanat politike. Shpeshherë e kemi përmendur që zgjedhjet mund të mbahen edhe në janar, në mënyrë që procesi zgjedhor, certifikimi, ankesat, të gjitha të përfundojnë në kuadër të mandatit kushtetues të ushtrueses së detyrës së presidentit. Prandaj, të mos kalohet kjo dhe të mos kalojmë në një paqartësi kushtetuese”, tha Abrashi.
LDK-ja, shtoi ai, ende nuk ka diskutuar për mënyrën se si do të marrë pjesë në zgjedhje, por tha se “orientimet janë që të shkojmë vetë në zgjedhje”.
Ai po ashtu tha se LDK-ja nuk ka ende kandidat për kryeministër.
SHIKONI EDHE: Ambasada amerikane bën thirrje për respektim të vendimeve të Gjykatës KushtetueseUshtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, nisi të martën konsultat me partitë politike për të caktuar datën e zgjedhjeve parlamentare, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që konstatoi se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.
Kjo, për shkak të votës së deputetit Etem Arifi, i cili, më 3 qershor, votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë prej një viti e tre muajsh burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”.
Ai aktualisht është në vuajtje të dënimit.