Sulmohet fizikisht gazetari Valon Syla

Kosovo, Kosovo Police Logo, undated

Policia e Kosovës konfirmoi të martën se gazetari Valon Syla është sulmuar fizikisht.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se rasti është nën hetime.

“Rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se një person është sulmuar fizikisht në lagjen 'Pejton' në Prishtinë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe po merren me rastin”, tha Ahmeti.

Motivet e sulmit janë të paqarta.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi ashpër sulmin ndaj Sylës.

“Në një video, e cila po qarkullon në rrjetet sociale, Syla shihet duke u grushtuar nga një person i panjohur. Në lidhje me rastin, AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila ka konfirmuar se ka pranuar informatën për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Valon Syla ishte gazetar i Radio Televizionit të Kosovës dhe për disa vite korrespondent nga Beogradi.

Ai aktualisht është drejtor i portalit Metro.