Bizneset kërkojnë miratimin e buxhetit para shpërndarjes së kuvendit

Kuvendi i Kosovës.

Komuniteti i biznesit në Kosovë ka kërkuar që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti i vitit 2021.

Përmes një komunikate për media, zyra e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, njofton se gjatë një bisede online me përfaqësues të bizneseve, Hoti u ka thënë atyre se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin.

“Kryeministri Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, u pajtuan se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia COVID -19”, thuhet në komunikatë.

SHIKONI EDHE: Rënia ekonomike në Kosovë pritet të jetë 7.2 për qind, thotë BQK-ja

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor vendosi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Vendimin e Gjykatës pritet ta pasojë shpërndarja e kësaj legjislature të kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti i ka informuar përfaqësuesit e bizneseve edhe në lidhje me masat e reja kundër pandemisë të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga data 23 dhjetor. Në komunikatë nuk janë bërë të ditura detaje se çfarë masa do të vendosen nga ana e autoriteteve. Mirëpo, në periudhën e fundit, autoritetet kanë paralajmëruar se do të ketë masa shtesë për festat e fundvitit.

SHIKONI EDHE: Kosova nuk kufizon udhëtimet, gjatë kësaj jave do të realizohen 280 fluturime

Kosova pritet të përballet këtë javë me një fluks të lartë të vizitorëve nga diaspora, pavarësisht thirrjeve të vendeve evropiane për të mos udhëtuar për nevoja jo-thelbësore.

Gjatë kësaj jave në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pritet të realizohet 280 fluturime - vajtje- ardhje, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Aeroporti i Prishtinës.