Ekonomia e Kosovës pritet që të ketë një rënie ekonomike prej 7.2 për qind që paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia e vendit në 20 vitet e fundit, tha Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë një konference për media.
Masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes se pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi nga muaji mars, kur u paraqiten rastet e para të të infektuarve, siç është kufizimi i funksionimit të disa veprimtarive ekonomike dhe mbyllja e kufijve, sipas tij, ka ndikuar në rënien ekonomike të vendit.
“Shpenzimet e jo-rezidentëve në Kosovë, deri në muajin shtator, ishin 470 milionë euro - pjesa më e madhe janë realizuar nga diaspora - dhe paraqet një rënie prej 60 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha Mehmeti.
SHIKONI EDHE: Ekonomia mbijetoi për të mos shkuar në kolapsKurse, vlera e dërgesave të shtetasve të Kosovës që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës ka arritur në 796 milionë euro, ose 12 për qind më shumë se vitin e kaluar. Vlerë kjo që ka ndikuar në zbutjen e efekteve të krizës.
Pavarësisht, situatës më pandemi, në rreth 800 milionë euro ka arritur vlera e kredive të reja, për periudhën mars–tetor, në bankat komerciale që operojnë në Kosovë, tha Mehmeti, duke shtuar se vlera e përgjithshme e kredive ka arritur në 3.2 miliardë euro.
Megjithatë, ai ka thënë se pandemia, sektorin bankar e ka gjetur mirë të kapitalizuar , çka ka bërë që ky sektor jo vetëm të përballojë krizën, por që të ketë rol kyç në rimëkëmbjen ekonomike.
SHIKONI EDHE: A mund të rimëkëmbet ekonomia botërore më 2021?Masat kundër përhapjes së pandemisë kanë ndikuar në masë të madhe në ekonominë e Kosovës duke krijuar humbje deri më tani në 1 miliard euro, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe shoqatave ekonomike.
Këto humbje nuk arritën të mbulohet nga ndihma që shteti ndau për ekonominë.
Por, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ekonomia e brishtë e Kosovës, me një rritje ekonomike jo më shumë se 4 për qind ndër vite, brenda nëntë muajve të pandemisë me COVID-19, arriti të mbijetojë për të mos u futur në kolaps.
“Ekonomia e vendit mund të themi se ka shpëtuar nga kolapsi, por jo që shteti e ka ndihmuar shumë, por qytetarët dhe bizneset kanë pasur rezerva dhe i kanë përdorur ato mjete në këtë kohë”, ka thënë Shahini.
Ligji për rimëkëmbje ekonomike i miratuar më 4 dhjetor parasheh 600 milionë euro, nga cili fond do të përfitojnë bizneset dhe qytetarët.