Varianti i ri i koronavirusit nuk është jashtë kontrollit, thotë OBSH

Një punëtor shëndetësor duke kryer një test të koronavirusit. Foto nga arkivi.

Varianti i ri i koronavirusit i zbuluar në Britani të Madhe nuk është ende jashtë kontrollit dhe mund ta frenojmë duke përdorur masat ekzistuese kundër pandemisë, tha të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

"Ne kemi pasur një normë shumë më të lartë të përhapjes në periudha të ndryshme në këtë pandemi dhe e kemi vënë atë nën kontroll", tha shefi i urgjencave i OBSH-së, Michael Ryan në një konferencë për shtyp.

"Në këtë kuptim, kjo situatë nuk është jashtë kontrollit. Por, nuk mund të lihet anash", tha ai.

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock më herët kishte pohuar se varianti i ri ishte "jashtë kontrollit", transmeton AFP. Zyrtarët britanikë kanë thënë se ai ishte 70 për qind më i transmetueshëm se lloji kryesor i koronavirusit.

SHIKONI EDHE: Çfarë dimë për variantin e ri të koronavirusit?

Afërsisht 30 vende kanë mbyllur kufijtë e tyre për njerëzit që udhëtojnë nga Britania e Madhe ose Afrika e Jugut.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, tha se ai kishte një bisedë "të shkëlqyeshme" me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje "brenda disa orësh".

"Unë dua të theksoj që ne në Mbretërinë e Bashkuar i kuptojmë plotësisht shqetësimet e miqve tanë në lidhje me variantin e ri", tha ai.

Varianti i ri është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat.

Të dhënat nga Nextstrain - një projekt që monitoron kodet gjenetike të mostrave virale në të gjithë botën - sugjerojnë se rastet e variantit të ri të koronavirusit kanë arritur edhe në Danimarkë dhe në Australi nga Mbretëria e Bashkuar. Holanda ka raportuar gjithashtu raste të tilla.