Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur ndalimin e të gjitha fluturimeve nga Britania e Madhe, pas paraqitjes së një varianti të ri të koronavirusit.
Paraprakisht, Komisioni i Sëmundjeve Infektive ka dalë me rekomandimin për izolimin për 14 ditë të të gjithë personave që hyjnë në Maqedoninë e Veriut nga Britania e Madhe.
"Pas informacionit të fundit në lidhje me shfaqjen e variantit të ri të koronavirusit në Britaninë e Madhe, Shtabi i Krizës miratoi vendimin për t'i ndaluar të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe drejt Maqedonisë së Veriut. Përveç kësaj, çdo person që arrin nga ky shtet, do t’i nënshtrohet një izolimi të detyrueshëm 14-ditor”, ka bërë të ditur kryeministri Zoran Zaev.
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se vendimi është miratuar si masë paraprake për parandalimin e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.
Varianti i ri thuhet se përhapet me shpejtësi më të madhe.
SHIKONI EDHE: Çfarë dimë për variantin e ri të koronavirusit?Maqedonia e Veriut është shteti i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ndërmerr një masë të tillë.
Në Beograd, të hënën, ka arritur një fluturim nga Londra.
Edhe disa shtete të Bashkimit Evropian kanë ndërprerë fluturimet që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar dhe të tjera shtete po e shqyrtojnë një mundësi të tillë, nga frika se një variant i ri i koronavirusit, i shfaqur në Angli, mund të përhapet edhe në pjesë të tjera të kontinentit evropian.
SHIKONI EDHE: Disa shtete të BE-së ndalojnë fluturimet me Britaninë nga frika e variantit të ri të virusitGjermania, Franca, Holanda, Belgjika, Austria, Suedia, Italia dhe Bullgaria kanë njoftuar për kufizime në udhëtimet me Mbretëriën e Bashkuar, raporton AP.