Ministri e Jashtme e Rusisë njoftoi se ikona e Shën Nikollës, e cila iu dha ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov në Bosnjë e Hercegovinë, do t’i kthehet Bosnjës për të sqaruar rëndësinë e saj historike.
“Ikona do t’u kthehet donatorëve, në mënyrë që të sqarohet më tej historia e saj përmes INTERPOL-it”, ka sqaruar ministria ruse, raporton RIA Novosti.
Më herët, Prokuroria e Bosnjës ka paralajmëruar se do të verifikojë informatat e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me këtë ikonë që i është dhuruar Lavrovit.
Ikona 300-vjeçare, që udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik ia dha Lavrovit, gjatë kësaj jave, kur ai vizitoi Bosnjën, mund të jetë kontrabanduar në mënyrë të paligjshme nga Ukraina lindore e shkatërruar nga lufta.
SHIKONI EDHE: Prokuroria nis hetimet për origjinën e dhuratës së Dodikut për LavrovinShqetësimet u ngritën nga ambasada e Ukrainës në Sarajevë, pasi agjencia e lajmeve Srna në Bosnjë publikoi një fotografi të ikonës dhe vulën e saj të vërtetësisë, e cila sugjeron se ajo mund të ketë origjinën në qytetin e Lugansk, ku separatistët pro-rusë po luftojnë forcat e Kievit.
Deri më tani, Millorad Dodik, përfaqësuesi serb në presidencën tre-anëtarëshe të Bosnjës, ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje.
Dhjetëra serbë të Bosnjës kanë luftuar së bashku me rebelët në luftën në Ukrainën lindore, e cila filloi më 2014. Serbia dhe serbët e Bosnjës kanë lidhje të ngushta me Rusinë.
Ministria e Jashtme e Ukrainës, tha të premten, më 18 dhjetor, se përmes ambasadës së saj në Sarajevë, ka kërkuar nga autoritetet boshnjake “sqarime dhe informacion të plotë mbi rrethanat e kësaj çështjeje".
Në një letër, që u botua nga mediat boshnjake, ambasada e Ukrainës tha se dështimi për të dhënë informacion në lidhje me ikonën do të shihej si tregues i mbështetjes për "politikat agresive dhe veprimet ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë".