Vaksina kundër koronavirusit e kompanisë Moderna, ka marrë miratimin urgjent për përdorim nga Administrata për Ushqim dhe Barna (FDA) në Shtetet e Bashkuara.
Miliona doza të vaksinës së kompanisë Moderna pritet të nisin të administrohen në SHBA, ku gjatë kësaj jave pritet që atë ta marrin punëtorët shëndetësorë. Po ashtu, personat e moshuar në shtëpitë e kujdesit do të jenë po ashtu ndër të parët që do ta marrin vaksinën.
Vendimi i FDA-së për miratimin e vaksinës së Modernas, vjen pasi një javë më parë u miratua për përdorim edhe vaksina e kompanive Pfizer dhe BioNTech.
Vaksina e Pfizer dhe BioNTech është prodhuar me teknologji të ngjashme sikurse ajo e Modernas. Vaksinimi me vaksinën e Moderas pritet të nisë ditët e ardhshme dhe atë do ta marrin personat mbi 18 vjeç.
“Me dy vaksina kundër COVID-19, FDA ka ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm në luftën kundër kësaj pandemie, që po shkakton numër të madh të viktimave në SHBA çdo ditë”, tha komisioneri i FDA-së, Stephen M.Hahn.
Vaksina e Modernas pritet të dërgohet edhe nëpër spitale rurale. Ajo ka nevojë që të transportohet dhe të ruhet në temperatura të ulëta, por nuk kërkon temperatura shumë të ulëta, sikurse vaksina e Pfizerit.
“Është shpresa ime se të gjithë amerikanët do ta mbrojnë veten duke u vaksinuar. Kështu, shteti ynë do të nisë procesin e shërimit dhe të lëvizjes përpara”, deklaroi zyrtari kryesor i SHBA-së për sëmundje ngjitëse, Anthony Fauci.
Moderna tha se do të aplikojë për licencë të plotë në SHBA më 2021.
Vaksina e kompanisë Moderna, sipas studimeve të bëra nga kompania, ka treguar 95 për qind efektivitet ndaj sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi. Po ashtu, është thënë se kjo vaksinë nuk ka paraqitur shqetësime serioze të sigurisë.