Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se derisa të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi më 2022, nuk do të ndodhë njohja e Kosovës.
"Pas kësaj është populli ai i cili do të vendosë", ka thënë Vuçiq, në një intervistë për televizionin serb TV Prva.
Me këtë deklaratë, Vuçiq mund të ketë aluduar në mbajtjen e ndonjë referendumi për këtë çështje.
Vuçiq ka thënë se askush në Perëndim nuk mendon se Kosova nuk është e pavarur.
"Opinioni i Uashingtonit, pavarësisht se kush është në pushtet, nuk do të ndryshojë, megjithëse marrëdhënia ishte disi e ndryshme (gjatë administratës së Donald Trump)", tha Vuçiq.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Qëndrimet për Kosovën në Kongresin amerikan nuk na konvenojnëPresidenti serb disa herë gjatë periudhës së fundit ka folur për mundësinë e një ndryshimi të pozicionin amerikan ndaj Serbisë në raport me Kosovën, pas fitores së presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më 4 shtator, në Uashington dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
SHIKONI EDHE: Reeker: Për Serbinë dhe Kosovën, status quo-ja është e paqëndrueshmeNë marsin e vitit të ardhshëm, bëhen 10 vjet që kur ka nisur dialogu në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog fillimisht nisi për çështje teknike, për të evoluar më pas në dialog të nivelit të lartë politik.
Bashkimi Evropian synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve. Kosova insiston se në këtë dokument duhet të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë, ndërsa Serbia kundërshton.