Maqedonia e Veriut ka regjistruar të enjten 31 të vdekur me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 2,225.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, 10 viktima janë regjistruar në Shkup, pesë në Prilep, nga tre në Kumanovë dhe Gostivar, nga dy në Tetovë dhe Gjevgjeli ndërsa nga një në gjashtë qytete tjera.
Në 24 orët e fundit nga 2,347 teste të bëra, me koronavirus janë diagnostikuar 657 persona, shifër kjo që tregon uljen në vazhdimësi të numrit të të infektuarve në nivel të shtetit.
Nga ana tjetër, bazuar në raportin e publikuar, janë regjistruar 920 persona të shëruar, që po ashtu paraqet rritje të përqindjes së atyre që kanë fituar betejën me COVID-19.
Aktualisht në Maqedoninë e Veriut me koronavirusin e ri janë të diagnostikuar 76.251 persona, prej tyre 52.413 persona janë shëruar ndërsa 21.613 raste janë ende aktive.
Ndërkohë, drejtuesit e institucioneve kanë vazhduar me apelet për kujdes maksimal gjatë festave të funditvitit, të mos ketë manifestime nëpër ambiente të mbyllura sikur edhe në ambiente të hapura, para së gjithash nëpër sheshe të qyteteve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka thënë se policia do të ndërhyjë gjithandej ku do të ketë informacione apo denoncime për tubime të më shumë personave.
Nga data 18 dhjetor në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masat për mbrojtje nga përhapja e sëmundjes COVID-19. Sektori i gastronomisë do të punojë deri në orën 18:00, restorantet e hoteleve deri në orën 21:00. Lëvizje të qytetarëve nuk do të ketë, por vetëm ndalim të grumbullimit të më shumë se katër personave.
Masat do të zgjasin deri më 21 janar dhe gjatë kësaj periudhe të gjithë kufijtë e Maqedonisë së Veriut do të jetë të hapur për lëvizje të lirë.