Mbrojtja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë, edhe një herë ka kërkuar që gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të fillojë pas 18 muajsh, përkatësisht në verë të vitit 2022.
"Më shumë se 18 muaj duhen për të zhvilluar hetime në këtë rast. Ky është realiteti”, tha avokati i Hashim Thaçit, David Hooper, në një konferencë statusore të mbajtur të enjten në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Prokuroria ka deklaruar se deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes më shumë se 1,300 materiale.
Prokuroria, po ashtu, tha se në muajin korrik mund të përfundojnë hetimet dhe në muajin shtator të vitit 2021 të nisë procesi gjyqësor.
“Ne do të ishim të përgatitur të parashtronim dosjen paragjyqësore në fillim të korrikut, pra dy-tre muaj para fillimit të gjyqit”, deklaroi prokurori i rastit, Alan Tieger.
SHIKONI EDHE: Hagë: Mandati i Gjykatës Speciale zgjat deri në njoftimin e Këshillit të BE-sëEdhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, deklaroi se periudha prej 18 muajsh është e shkurtër. Ai ia ka kujtuar gjykatës se në Tribunalin Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë në Hagë, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë dhe deri në fillimin e gjykimit është pritur deri në tre vjet e gjysmë. Edhe kjo periudhë, sipas tij është e gjatë, por theksoi nevojën që mbrojtja kërkon kohë të mjaftueshme për të trajtuar çështjen dhe provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë.
Emmerson mendon se fillimi i gjykimit në këtë rast ndoshta do të duhej të fillonte në fund të vitit 2022, ose në fillim të vitit 2023, dhe se kjo do të ndikohet nga pandemia dhe vaksinimi kundër COVID-19.
SHIKONI EDHE: Kush po i mbron ish-pjesëtarët e UÇK-së?Gjykatësi Nicolas Guillou, tha se asnjë vendim nuk do të merret të enjten në lidhje me datën e fillimit të gjyqit, por ai tha se do t'i marrë parasysh të gjitha qëndrimet e shprehura dhe se kjo do të diskutohet në konferencat e ardhshme statusore.
Konferenca e ardhshme statusore u propozua që të mbahet në janar.
Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.
Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, deputetit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
SHIKONI EDHE: Prokurorët që po hetojnë ish-pjesëtarët e UÇK-sëTë gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.