Biden emëron ish-rivalin e tij për sekretar të Transportit

Pete Buttigieg

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, emëroi ish-kandidatin demokrat për president, Pete Buttigieg, për sekretar të Transportit.

Buttigieg është ish-rivali i parë i Bidenit që emërohet në një post të lartë në kabinet.

Ai po ashtu do të bëjë histori si sekretari i parë që deklarohet hapur se është homoseksual.

Buttigieg, 38 vjeç, është veteran i Marinës amerikane, që ka shërbyer si oficer rezervist i inteligjencës në Afganistan, në vitin 2014.

Emërimi i tij për sekretar të Transportit u vlerësua nga grupet për të drejtat e homoseksualëve.

Fushata e të Drejtave të Njeriut tha se Buttigieg “ka qenë i hapur dhe i sinqertë” për identitetin e tij dhe se i ka dhënë zë komunitetit.

Buttigieg ka garuar për nominimin e Partisë Demokratike si kandidat për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Pasi ka rënë nga gara, ai ka mbështetur Bidenin.