Anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq, kanë refuzuar takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, në Sarajevë.
Në një konferencë për media, të martën, më 15 dhjetor, të dy këta anëtarë të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, kanë sqaruar se shkak për këtë ishte mungesa e flamurit shtetëror të Bosnje-Hercegovinës në takimin me Lavrovin, si dhe mbështetja që ai i ka dhënë Rezolutës për neutralitet ushtarak, të cilën e ka miratuar Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe.
“Këtë e përjetojmë si një lloj poshtërimi dhe madje mohimi të institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, të vendit në të cilin ai erdhi për një vizitë zyrtare”, ka thënë Komshiq.
SHIKONI EDHE: Sarajeva nën masa sigurie para vizitës së LavrovitAi ka theksuar që porositë që dha Lavrovi, pas arritjes së tij për vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë, të hënën, më 14 dhjetor, nuk janë mesazhe të tij personale, por të shtetit të cilin e përfaqëson.
"Deklarata e zotërisë Lavrov, në të cilën ai mirëpret Rezolutën e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe, e cila flet për të ashtuquajturin ‘neutralitet ushtarak’ në rast të anëtarësimit në një asociacion ushtarak, gjithashtu tregon që një ministër rus, i cili është i informuar në mënyrë të përkryer dhe me përvojë ,shmang faktin se vetëm autoritetet e Bosnje-Hercegovinës mund të marrin një vendim të tillë. Do të thotë që Bosnje-Hercegovina ka marrë vendime në lidhje me të ardhmen e saj në integrimin euro-atlantik, ndërkaq në vendime mori pjesë edhe Dodik, me të cilin ai u takua”, ka deklaruar Komshiq.
SHIKONI EDHE: Dodik: Do të kërkoj njohjen e Krimesë si pjesë të RusisëAi ka shtuar se në bazë të këtyre “dy shembujve”, mendon që “fatkeqësisht, Lavrov tregoi mosrespekt për institucionet dhe sistemin kushtetues dhe shtetin e Bosnjë e Hercegovinës”.
Lavrov, një ditë më parë, dërgoi një sërë mesazhesh politike dhe ndër të tjera, ai tha se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje-Hercegovinë duhej të ishte mbyllur shumë kohë më parë, sepse Bosnje-Hercegovina, siç theksoi ai, shumë kohë më parë është bërë anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Ky protektorat i huaj, i cili përfaqëson Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, është plotësisht i tejkaluar. Ekzistenca e OHR-së tregon mosrespektim për popujt e Bosnje-Hercegovinës dhe sovranitetin e këtij vendi. Çdo përpjekje për të përmbysur Marrëveshjet e Dejtonit mund të ketë pasoja të paparashikueshme. Ka qenë shumë i vështirë ndërtimi i një ekuilibri të brishtë dhe vetëm pa njërin komponent, mund të rrezikohet i gjithë stabiliteti i përgjithshëm”, ka thënë Lavrov.
Anëtari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq., ka deklaruar deklaroi se Federata Ruse është një shtet i madh, një fuqi botërore, se Bosnje- Hercegovina nuk është e tillë, por është një shtet shumë i rëndësishëm në botë.
"Ne kemi krenarinë tonë dhe duam të themi atë që mendojmë për momentin. Rusia e respekton Marrëveshjen e paqes së Dejtonit, por deklaratat e dhëna dje në një konferencë shtypi nga ministri Lavrov, na thonë diçka tjetër”, ka thënë Shefik Xhaferoviq, në konferencën për media.
Ai ka theksuar se respektimi i Marrëveshjes së paqes së Dejtonit, do të thotë t’i respektosh të gjitha anekset e saj.
"Gjëja e parë që theksohet në marrëveshje, është shteti i Bosnje-Hercegovinës, vazhdimësia e tij, institucionet, flamuri dhe stema e tij. Kjo duhet të respektohet, por që nuk u respektua dje. Të respektosh Marrëveshjen e Dejtonit do të thotë të respektosh të gjitha 11 anekset”, ka theksuar Xhaferoviq.
Kryesuesi i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, është takuar të martën, më 14 dhjetor, me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në Sarajevë, ka njoftuar më herët presidenca.
Më pas, Lavrov është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Bosnje-Hercegovinës, Biser Turkoviq. Ndërkaq është planifikuar edhe një takim i delegacioneve të ministrive të Bosnje-Hercegovinës dhe të Rusisë.
Lavrov të martën do të udhëtojë edhe në Beograd për vizitë zyrtare, ku pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.