Shtetet e Bashkuara sanksionuan Turqinë - aleate në NATO - për blerjen e sistemit raketor nga Rusia.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se sanksionet godasin organin më të lartë të mbrojtjes në Turqi për blerjen e sistemit S-400 nga eksportuesi kryesor i armëve në Rusi, Rosoboronexport.
Sanksionet përfshijnë ndalimin e të gjitha licencave amerikane të eksportit në Presidencën e Industrive të Mbrojtjes (SSB), si dhe ngrirje të aseteve të presidentit të saj, Ismail Demir, të nënpresidentit dhe dy punonjësve.
Uashingtoni ka bërë përpjekje ta bindë Ankaranë që të heqë dorë nga blerja dhe instalimi i sistemit rus, duke e paralajmëruar se ai do ta rrezikojë sigurinë e teknologjisë dhe personelit ushtarak të SHBA-së dhe Turqisë.
Pasi Turqia ka realizuar blerjen, SHBA-ja ka larguar Turqinë nga programi i aeroplanëve luftarakë F-35, ndërsa ka vazhduar negociatat me Ankaranë.
Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit thanë se sanksionet janë ndërmarrë, pasi negociatat kanë dështuar.
“Veprimi i sotëm dërgon një sinjal të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë transaksione të konsiderueshme me sektorët rusë të mbrojtjes dhe inteligjencës”, tha përmes një deklarate sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Turqia dhe Rusia e dënuan këtë veprim.
Ministria e Jashtme turke i bëri thirrje Uashingtonit që ta shqyrtojë “vendimin e padrejtë”, ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se sanksionet janë edhe një shembull i “masave të paligjshme dhe të njëanshme shtrënguese” nga Shtetet e Bashkuara.
SHIKONI EDHE: Turqia nuk pret sanksione nga Bideni për sistemin rus S-400