Vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19 nisi të hënën në Shtetet e Bashkuara - vendin me numrin më të lartë të të infektuarve dhe viktimave.
Një infermiere e kujdesit intensiv në Llong Ajllënd të Nju Jorkut u bë personi i parë që mori vaksinën Pfizer/BioNTech në SHBA.
"Vaksina e parë e administruar. Urime SHBA! Urime botë!", shkroi presidenti amerikan, Donald Trump, në Twitter.
Miliona doza të vaksinës janë duke u shpërndarë në SHBA, ndërsa 150 spitale pritet t’i marrin ato vetëm gjatë ditës së sotme.
Programi i vaksinimit synon të arrijë 100 milionë amerikanë deri në muajin prill.
Vaksina Pfizer/BioNTech e ka marrë të premten autorizimin për përdorim emergjent nga Administrata për Ushqim dhe Barna e SHBA-së.
SHBA-ja ka konfirmuar mbi 72 milionë raste me COVID-19 dhe afro 300,000 viktima.
Vaksina Pfizer/BioNTech - një bashkëpunim midis një gjiganti farmaceutik amerikan dhe një kompanie gjermane të bioteknologjisë - ofron mbrojtje deri në 95% dhe është vaksina e parë kundër COVID-19 që aprovohet nga rregullatorët amerikanë.
Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar ka nisur vaksinimin e popullatës me Pfizer/BioNTech.
Vaksinat e para, kudo në botë, është thënë se do t’i marrin punonjësit shëndetësorë dhe grupet e njerëzve më të rrezikuar - kryesisht të moshuarit.
Your browser doesn’t support HTML5