Në Maqedoninë e Veriut, prindërit e fëmijëve me autizëm thonë se ndjehen të lënë pas dore, pasi gjatë pandemisë janë ndihmuar të gjitha kategoritë e qytetarëve të cilët janë përballur me vështirësi si nga aspekti ekonomik edhe ashtu nga ai social nga kriza e pandemisë, përpos familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara.
Ndërkohë, nga dikasteri i punës dhe politikës sociale thonë se pavarësisht se këto familje nuk janë theksuar në mënyrë të veçantë, një pjesë e tyre janë përfshirë në kategorinë e ndihmave për familjet me të ardhura të ulëta, ato me një prindër, të papunët etj.
Por, prindërit me fëmijë me autizëm thonë se duhej të kishte një pako të veçantë të ndihmave për këto familje.
SHIKONI EDHE: Tipi zero i gjakut më pak i rrezikuar nga COVID-19Zoran Mijallkov drejton organizatën joqeveritare, “Sploteni Srca”. Ai është prind që ka dy fëmijë me autizëm. Mijallkov thotë për Radion Evropa e Lirë se ndjehet i indinjuar se shteti këtë kategori të familjeve i ka lënë në harresë, ndërkohë që përballen me probleme të shumta.
“Shumë familje që kanë fëmijë autik ishin të parët që mbetën pa punë, pasi pronarët i larguan ata ngase orari i punës dhe angazhimit është specifik, sepse një familje me fëmijë autik e ka shumë të vështirë të veproj përkatësisht të punoj me orar të plotë", thotë ai.
Sipas tij, së fundmi ka qenë një rast në Shkup, ku nëna vdes si pasojë e komplikimeve nga koronavirusi dhe tani prindi tjetër, babai i një vajze me autizëm, duhet ta braktisë vendin e punës që të mund të kujdeset për të.
Pastaj, sipas tij, problem është mbyllja dhe lëvizja e kufizuar, e cila e ka pamundësuar sigurimin e ilaçeve që i marrin këta fëmijë në vendet evropiane.
"Duhet pasur parasysh se prindërit me fëmijë autik duhej t'u mundësohej një status i veçantë sa i përket marrëdhënies së punës në kushte pandemie edhe sigurimin e mjeteve materiale pasi janë rritur shpenzimet dukshëm gjatë kësaj periudhe sa zgjat pandemia e koronavirusit”, thotë Zoran Mihajlovski.
SHIKONI EDHE: Pse disa njerëzve iu duhet kohë e gjatë për t’u rikuperuar nga COVID-19?Emsha Ferati është nënë e një 14 vjeçari me autizëm. Ajo për Radion Evropa e Lirë thotë se gjatë këtyre muajve është e detyruar të shmangë autobusin urban për të mos e ekspozuar djalin e saj ndaj rrezikut të infektimit, kështu që për të arritur në shkollën speciale ku mban mësim i biri, ec për çdo ditë disa kilometra përkatësisht më shumë se 30 minuta.
Zonja Ferati thotë se autoritet përkatëse të shtetit, të paktën duhet të sigurojnë transportin e organizuar urban për këta fëmijë.
“Unë me djalin tim Artimin nuk e shfrytëzoj transport publik, pasi ndjehem më rehat të eci në këmbë sesa të shfrytëzoj transportin sepse transporti urban nuk është i sigurt në këto rrethana që ka shkaktuar pandemia, ndërkohë që fëmijët me autizëm e kanë problem të ruajnë distancën, pra ka probleme të shumta”, thotë Emsha Ferati .
Edlira Destani, psikologe në kuadër të organizatës joqeveritare “Duam Ylberin” ku po trajtohen dhjetëra fëmijë, për Radion Evropa e Lirë thotë se fëmijët me autizëm, pas një kohe arrijnë që tu përshtaten rregullave që ka imponuar koronavirusi.
“Normalisht nëse në përgjithësi në të gjithë popullatën arrihet një rregull i mirëfilltë për respektimin e masave besoni se edhe fëmijët me nevoja të veçanta pasi kanë mësuar respektimin e masave të caktuara , ata që mund ti kuptojnë kërkojnë me këmbëngulje që edhe të tjerët ti respektojnë të njëjtat , dhe reagojnë kur këto masa që kanë të bëjnë me frenimin e koronavirusit nuk respektohen nga qytetarët e tjerë”, thotë psikologia Edlira Destani.
Prindërit e fëmijëve me autizëm theksojnë se një pjesë e madhe e tyre kanë marrë shërbime profesionale të shëndetit mendor për trajtimin e traumave të tyre me ç' rast kanë theksuar nevojën e përmirësimit të mbështetjes sociale.
Organizatat që në fokus kanë të drejtat e fëmijëve me autizëm kanë theksuar se sa më parë duhet hartuar një regjistër i personave me autizëm në Maqedoninë e Veriut si shtyllë kryesore për hartimin e politikave të mëtejme për inkorporomin e kësaj kategorie në shoqëri.