Në Ditën ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, familjarët e personave të pagjetur në Kosovë, kërkuan drejtësi dhe u bën thirrje institucioneve vendore dhe faktorit ndërkombëtar, që t’i bëjnë presion Serbisë, të japë të dhëna për personat e vrarë, që mund të jenë të varrosur në varreza masive në territorin e Serbisë.
Kuvendi i Kosovës, mbajti seancë të veçantë ku ishin të pranishëm përfaqësues të shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, të cilët kritikuan qeveritë e Kosovës ndër vite se nuk kanë bërë mjaftueshëm për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.
Nysrete Kumnova, përfaqësuese e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë më shumë për të pagjeturit, sepse siç tha ajo “ndryshe dekadat po mundohen t’i fshehin gjurmët e krimit”.
Kumnova tha se është kërkesë e shoqatës që këta të bëhet pjesë e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, sepse tha se “jemi të gatshëm të ballafaqohemi” duke ofruar dëshmi.
SHIKONI EDHE: Vendndodhjet e varrezave masive të identifikuara në SerbiLigji për të Pagjeturit, tha Kumnova, duhet të sillet me procedurë të përshpejtuar në kuvend, sepse sipas saj, me ligjet aktuale, familjarët e të pagjeturve janë të obliguar që të zgjedhin në mes të pensionit të pleqërisë dhe ndihmës që ofron shteti për familjarët e tyre të pagjetur.
“Nuk dua t’i mbyll sytë dhe asnjë nënë nuk do, pa na i kthyer më të dashurit tanë nga varrezat masive të Serbisë”, tha Kumnova, duke shtuar se familjarët e mbi 1,600 të pagjeturve që dy dekada jetojnë në ankth.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se mospranimi i fajit nga Serbia po mban peng dialogun me Serbinë, duke shtuar se kjo e fundit duhet detyruar që të japë informata për të pagjeturit dhe për krimet tjera.
SHIKONI EDHE: Makolli: Mendojmë se në Serbi ka ende varreza masive“Serbia duhet ta pranojë peshën historike të kryerjes së gjenocidit kundër shqiptarëve. Ajo duhet të detyrohet që të japë informata për dhunën sistematike ndaj viktimave, e mbi të gjitha për vendndodhjen e qytetarëve tanë të pagjetur".
Thirrja që të mos jepen informata për gjetjen e varrezave masive në Serbi nga zyrtarët serbë, sipas Osmanit, është krim i ri që po bëhet.
Ndërkaq, zëvendëskryeministrja Albulena Balaj- Halimaj tha se qytetarët e Kosovës kanë përjetuar “gjenocidin më të tmerrshëm të fund të shekullit 20-të.
“Një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit (Avdullah) Hoti lidhet me angazhimin që ky gjenocid të njihet në përmasa ndërkombëtare, si i tillë dhe do të duhet një trajtim adekuat i viktimave që i mbijetuan këtij gjenocidi dhe familjarëve të tyre që janë vrarë, apo konsiderohen të zhdukur”, tha Balaj-Halimaj.
Në luftën e fundit në Kosovë, konsiderohen se janë vrarë mbi 13,000 persona mbi 1,000 prej tyre fëmijë. Aktualisht, konsiderohen të pagjetur edhe mbi 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.