Makolli: Mendojmë se në Serbi ka ende varreza masive

Ilustrim.

"Në këtë lokacion gjenden eshtrat e njerëzve të vrarë gjatë konfliktit në Kosovë, të cilët janë transferuar këtu për të mbuluar krimin", deklaroi të premten Ibrahim Makolli, kreu i Grupit punues të delegacionit të Kosovës për Personat e Zhdukur, gjatë një vizite të vendit ku po bëhen gërmime të mbetjeve mortore në varrezën masive në Kizhevak, afër Rashkës në Serbi.

Në një deklaratë për media, ai tha se procesi duhet të mbrohet nga politizimi.

"Kjo është një çështje humanitare dhe ne do ta trajtojmë në atë mënyrë, por ata që i kanë kryer këto krime duhet të marrin dënimet e merituara," tha Makolli.

Your browser doesn’t support HTML5

Pamje nga gërmimet në Kizhevak

Përveç Makollit, në këtë vend ishin prezent edhe shefi i delegacionit të Beogradit, Velko Odalloviq, dhe kryetari i Grupit të Punës, Fabian Bourdieu.

Ata vizituan Kizhevakun në Serbinë Jugperëndimore, ku u gjetën eshtrat e civilëve për të cilët dyshohet se janë shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë më 1999, përkatësisht në mes të nëntorit të atij viti.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Makolli tha se beson se ka vende të tjera në Serbi me varreza masive të mundshme.

Sipas tij, hulumtimi i përbashkët ka konfirmuar se janë edhe dy vendndodhje të varrezave masive të mundshme në Serbi - afër Novi Pazarit dhe Sjenicës.

"Shpresoj se xhirimet nga ajri do të ndihmojnë në lokalizimin e atyre vendeve dhe se do t'i shqyrtojmë në të ardhmen së bashku me përfaqësuesit e Serbisë," tha Makolli.

Odalloviq: Numri përfundimtar i trupave, vetëm pas zhvarrosjes dhe identifikimit

Kreu i delegacionit të Beogradit dhe presidenti i Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, deklaroi se ai “nuk mund të deklarojë asgjë me siguri për numrin e trupave në atë vend, por shtoi se mund të supozohej se aty janë mes 15 dhe 17 trupa.

Ai shtoi se vetëm procesi i zhvarrosjes dhe identifikimit do t'i japë përgjigje pyetjes rreth numrit të mbetjeve mortore dhe kujt i përkasin.

SHIKONI EDHE: Varreza masive të identifikuara në të gjithë Kosovën

Sipas Odalloviqit, kjo është një nga varrezat e zhvendosura në Serbi.

Ai tha se do të punohet në këtë lokacion për sa kohë që lejojnë kushtet e motit, sigurisht në 10 ditët e ardhshme.

Kur punimet ndërprehen, vendndodhja do të mbrohet dhe ruhet në mënyrë adekuate fizikisht, shtoi Odalloviq.

"Ne i qasemi kësaj pune jashtëzakonisht me përgjegjësi. I gjithë procesi do të jetë transparent," tha ai.

"Përfaqësuesit e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Kryqit të Kuq, Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe anëtarët e delegacionit të Prishtinës janë të pranishëm në të gjitha fazat, së bashku me ekspertët e gjykatës nga Serbia", tha ndër tjerash Odalloviq.

SHIKONI EDHE: EULEX-i tregon si u zbulua varreza masive në Kizhevak

Ai përmendi se çështja e të zhdukurve është çështje e pozicionuar lart në marrëveshjen e Uashingtonit dhe në negociatat e Serbisë me delegacionin e Kosovës në Bruksel.

Bourdieu: Të bashkuar në punë deri në mbylljen e këtij kapitulli të vështirë

Përfaqësuesi i Grupit të Punës nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Fabian Bourdieu, tha se zbulimi i kësaj varreze thekson rëndësinë e zbulimit të të zhdukurve.

Në javët e ardhshme, ekipet mjeko-ligjore do të punojnë së bashku për të mbyllur një kapitull të vështirë në jetën e shumë familjeve të të zhdukurve, tha Bourdieu.

Snezhana Matejiq, specialiste e forenzikës që drejton ekipin mjeko-ligjor serb, tha se "kjo do të jetë punë e vështirë për shkak të terrenit dhe kushteve të motit".

"Ne nuk mund ta injorojmë situatën epidemiologjike, por ne do të bëjmë çmos për ta përfunduar atë punë," tha ajo.

Zhvarrosja e trupave në vendin e ish-minierës "Kizhevak", afër kufirit midis Serbisë dhe Kosovës, filloi më 30 nëntor.

Aspekti mjeko-ligjor menaxhohet nga një ekip i ekspertëve mjeko-ligjorë serbë dhe ekspertë nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe delegacioni i Kosovës i Grupit Punues për Personat e Zhdukur, që është i pranishëm në rolin e vëzhguesit.

Ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisioni i Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur kanë gjetur mbetje njerëzore në vendin e Kizhevak më 16 nëntor, pas së cilës Gjykata e Lartë në Beograd lëshoi një urdhër zhvarrosje.

Vlerësohet se në këtë lokacion mund të jene mbetjet prej shtatë deri 20 personave, ka deklaruar për REL Matthew Holliday, kreu i Programit të Ballkanit Perëndimor të ICMP më 2 dhjetor.

SHIKONI EDHE: Holliday: Në Kizhevak janë mbetjet mortore të 7 deri në 20 personave

Ai shtoi se kjo varreza masive është "ndoshta i lidhur me zhvarrosjen në Rudnicë afër Rashkës disa vjet më parë" dhe se viktimat e gjetura në vendin e ri ishin "të lidhura me të njëjtën ngjarje në Kosovë në 1999".

Në njoftimin e Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur thuhet se vendndodhja "Kizhevak" ka qenë objekt i hulumtimit dhe kërkimeve për pesë vitet e fundit, bazuar në urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Luftës.