Izraeli paralajmëroi të enjten për një kërcënim në rritje ndaj shtetasve të tij jashtë vendit, pas thirrjes së Iranit për hakmarrje ndaj vrasjes së shkencëtarit të lartë bërthamor iranian, javën e kaluar në Teheran.
Për vrasjen e shkencëtarit, Mohsen Fakhrizadeh, Irani ka fajësuar pjesërisht Izraelin.
"Në vazhdën e kërcënimeve të fundit nga elementët iranianë, kemi frikë se Irani mund të sulmojë objektivat izraelite", tha ministria e jashtme izraelite.
Ajo paralajmëroi për sulme të mundshme kundër shtetasve të saj në Afrikë dhe në vendet afër Iranit, duke përmendur Gjeorgjinë, Azerbajxhanin, Turqinë, rajonin kurd të Irakut, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin.
SHIKONI EDHE: Belgjika gjykon diplomatin iranian për komplotin e sulmit me bombëKëshilli i Sigurimit Kombëtar, duke përmendur sulmet e kryera tashmë në Francë, Gjermani dhe Austri, tha se organizatat globale të xhihadistëve, veçanërisht grupi i Shtetit Islamik, "po demonstrojnë një motivim të lartë për të kryer sulme terroriste".
"Është e mundur që një pjesë e valës aktuale të terrorizmit islamik të arrijë objektivat e identifikuar me Izraelin ose komunitetet hebraike, sinagogat, restorantet dhe muzeumet hebraike", paralajmëroi ministria izraelite.
Ajo u bëri thirrje udhëtarëve të lexonin çdo paralajmërim në lidhje me destinacionin e tyre.
SHIKONI EDHE: Kush ishte Mohsen Fakhrizadeh, shkencëtari i vrarë iranian?Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe normalizuan lidhjet me Izraelin në shtator.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi, kishte pasur në plan të vizitojë Bahrejnin në fundjavë për një konferencë rajonale, por burime diplomatike thanë për AFP se udhëtimi i tij u anulua, pasi Irani fajësoi Izraelin për vrasjen e Fakhrizadeh dhe u kërcënua me hakmarrje.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu akuzoi të enjten Iranin se ka përfituar nga marrëveshja e tij ndërkombëtare bërthamore - e cila lejoi heqjen e sanksioneve ekonomike, para se ato të rivendoseshin dhe të ashpërsoheshin nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump - në mënyrë që të "shtrijë" ndikimin e tij në Irak , Jemen dhe Siri.