Partia Demokratike e Kosovës do të inicojë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për projektligjin e rimëkëmbjes ekonomike.
“Presim që edhe partitë tjera do të duhej ta votojnë një projektligj të tillë”, tha në një konferencë për media, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, sipas të cilit seanca mund të ftohet të premten më 4 nëntor.
Më hert, Komisioni për Buxhet dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës ka miratuar rekomandimet për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Ky miratim është bërë pas përfshirjes së rekomandimeve që ka bërë Partia Demokratike e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se nëse propozimet e PDK-së bëhen pjesë e projektligjit, deputetët e kësaj partie do ta votojnë atë edhe në seancë të kuvendit.
PDK-ja ka propozuar që të paguhen nga buxheti i Kosovë pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor- dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë janë larguar apo pezulluar nga puna.
SHIKONI EDHE: A po dështon projektligji për rimëkëmbje ekonomike?Në një nga propozimet e PDK-së thuhet që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit që kanë kursime pensionale deri në 10 mijë euro, të kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023.
Po ashtu, PDK-ja ka rekomanduar që lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore në Kosovë, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit, të lirohen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike pas gjashtë dështimeve, ishte miratuar në lexim të parë në tetor.
Një projektligj që votohet në lexim të parë, sipas procedurës së rregullt, i duhen së paku dy javë që të shqyrtohet në komisionet funksionale të kuvendit.
Masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 kanë pasur efekte negative në ekonominë e vendit. Humbjet e bizneseve konsiderohen të jenë rreth një miliardë euro, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës.
Qëllimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.
SHIKONI EDHE: Humbje miliardëshe, ndihmë milionësheNë këtë Projektligji, thuhet se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”.
Gjithashtu, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Po ashtu, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen nga Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës.
Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore, nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.
Ky projektligj – nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj – do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.