Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL), paralajmëroi të mërkurën se rrjetet e organizuara kriminale mund të synojnë shitjen e vaksinave false kundër koronavirusit.
Interpol, me seli në Francë, tha se kishte lëshuar një alarm global për zbatimin e ligjit në 194 vendet e tij anëtare, duke i paralajmëruar ata që të përgatiten për rrjetet e krimit të organizuar që synojnë vaksinat COVID-19, si fizikisht ashtu edhe në internet.
"Ndërsa qeveritë po përgatiten të shpërndajnë vaksinat, organizatat kriminale po planifikojnë të infiltrojnë ose të prishin zinxhirët e furnizimit", tha Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Juergen Stock.
Të mërkurën, Mbretëria e Bashkuar është bërë vendi i parë në botë që miraton vaksinën kundër COVID-19 të kompanisë Pfizer dhe BioNTech.
SHIKONI EDHE: Britania autorizon përdorimin e vaksinës kundër COVID-19Ka disa vaksina të tjera premtuese që gjithashtu mund të miratohen së shpejti. Një nga ato është ajo e kompanisë Moderna e cila përdor të njëjtën qasje si vaksina e Pfizer dhe ofron mbrojtje të ngjashme. Edhe Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me AstraZeneca kanë zhvilluar një vaksinë.
Rusia ka përdorur një tjetër vaksinë, të quajtur Sputnik, dhe ushtria kineze ka miratuar një tjetër të bërë nga CanSino Biologics.
Derisa pandemia e koronavirusit po intensifikohet në pjesën më të madhe të botës, vendet po përpiqen të sigurojnë furnizime të mundshme të vaksinave dhe po përgatisin plane për veprimet e para që do të ndërmarrin në javët e ardhshme.
Shpresat janë të mëdha se vaksinat mund të jenë gati për përdorim para fundit të vitit, me dy vaksina kryesore - nga Moderna dhe BioNTech/Pfizer - që tashmë kanë kërkuar miratimin për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.