Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) do të vendosë “brenda javësh” për autorizimin ose jo të vaksinës kundër COVID-19 të kompanive Pfizer dhe BioNTech.
"Një mendim mbi autorizimin mund të lëshohet brenda disa javësh varësisht nga të dhënat për cilësinë, sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës", thotë EMA.
Agjencia tha se vlerësimi për vaksinën mund të jetë gati “më së voni” deri më 29 dhjetor.
Edhe kompania Moderna e cila ka përfunduar fazat e testimit të vaksinës së saj kundër COVID-19, kërkon autorizimin për përdorim në vendet evropiane. Vendimi për këtë vaksinë mund të merret jo më vonë se data 12 janar.
SHIKONI EDHE: Moderna do të aplikojë për autorizim emergjent të vaksinës kundër COVID-19Në javët e fundit, rezultatet pozitive të vaksinave kanë ngjallur shpresat për t'i dhënë fund pandemisë që ka goditur ekonomitë, dhe ka marrë më shumë se 1.45 milion jetë në të gjithë botën. Të dyja këto kompani synojnë autorizimin edhe për përdorim të vaksinave në Shtetet e Bashkuara.
Këshilltarët e pavarur të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave do të takohen më 17 dhjetor për të shqyrtuar të dhënat e provave të Moderna-s. Ata do të takohen më 10 dhjetor për të shqyrtuar të dhënat e kompanisë Pfizer. Menjëherë pasi të fitojë autorizimin e përdorimit emergjent, Moderna pret që vaksina të transportohet në pikat e caktuara të shpërndarjes në të gjithë Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.