Qytetarët e infektuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë simptoma të lehta dhe shërohen në kushte shtëpie, thonë se sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus, është shumë e kushtueshme, pasi godet rëndë buxhetin familjar, jo vetëm për sigurimin e ilaçeve, por edhe të vitaminave të shumta që ua sugjeron mjeku.
Përveç kësaj, ata përmendin edhe kosoton e lartë për sigurimin e preparateve për dezinfektim dhe pastrim të çdo gjëje për të mbrojtur pjesën tjetër të familjes.
Ekonomia familjare goditet edhe më shumë kur nga e njëjta familje preken dy, tre apo më shumë persona nga COVID-19.
SHIKONI EDHE: Pazarllëku me Remdesivir në PrishtinëSashka, 57-vjeçare, e cila po e kalon koronavirusin në kushte shtëpie dhe me simptoma më të lehta, thotë për Radion Evropa e Lirë se lista e ilaçeve përcjellëse, krahas antibiotikëve që i ka sugjeruar mjeku amë është e gjatë, siç është marrja e më shumë vitaminave C, D zink, selen, për të rritur imunitetin, pa harruar dhe ilaçin që duhet të pranojë kundër koalgulimit të gjakut (CLEXANE) .
Djali i saj Aleksandar Mlladenovski thotë se për fat të mirë nga familja e tij vetëm e ëma e tij është prekur nga COVID-19, pasi në të kundërtën nuk do të mjaftonte një pagë e plotë minimale që merr e ëma.
“Nga ajo që të shkruan mjeku si ilaçe që duhet të merren gjatë kurimit nga COVID-19 në listën pozitive, pra që mbulohen nga ana e shtetit, përpos antibiotikut gjithçka tjetër duhet të blihet privatisht. Pastaj më duhet të shtoj se nëna ime duhej të marrë dhe ilaçin për hollimin e gjakut për të cilin për një dozë kemi paguar me shumë se 4 mijë denarë (rreth 65 euro), mjete këto që 70 për qind kthehen nga fondi , por ato mjete mund t’i rikthej vetëm pasi të shërohet nëna ime dhe të bëj kërkesë në fond, pra ne duhet ato para t’i kishim në të kundërtën do të detyroheshim të marrim hua”.
“Më pas na është rekomanduar që të marrë më shumë vitamina që zakonisht kushtojnë nga 600 deri 1000 denarë (10 deri në 15 euro) si dhe probiotikë për të neutralizuar lukthin nga antibiotikët e rëndë që pranon për kurim”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Mlladenovski.
Në Maqedoninë e Veriut, numri i të infektuarve me koronavirus tejkalon shifrën 1,000 në baza ditore, ndërkohë që ka më shumë se 21,000 raste aktive të regjistruara.
SHIKONI EDHE: Maqedoni e Veriut: 41 të vdekur dhe 1,022 të infektuar me COVID-19Prej tyre, mbi 1,200 janë të shtrirë në spitale përderisa më shumë se 10,000 pacientë shërohen në kushte shtëpiake.
Në këto rrethana, pjesa më e madhe e pacientëve ankohen se shumë vështirë arrijnë të sigurojnë termin për incizim të mushkërive në spitalet shtetërore përmes mjekut amë.
Shumica prej tyre detyrohen që pasqyrën e gjakut dhe incizimin e kraharorit t’i bëjnë tek infektologët në spitalet private, për çka duhet paguar nga 150 deri në 200 euro.
SHIKONI EDHE: Pandemia rrit shkallën e varfërisë në Maqedoninë e VeriutMinistri i Shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se deri në këtë moment nuk ka terapi specifike në asnjë shtet të botës për këtë virus.
“Terapia e përgjithshme e cila u jepet nga ana e mjekëve amë bëhet në bazë të pasqyrës klinike dhe kontrolleve dhe nëse përkeqësohet situata atëherë ai pacient shtrihet në spital”, thotë ministri Filipçe.
Ndërkohë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se asnjë qytetar nuk mbetet jashtë sistemit të përkujdesjes shëndetësore, dhe për çdo qytetar është siguruar shërbimi shëndetësor, madje dhe për ata të cilët mbeten pa punë për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia.
“Mjafton që të shfrytëzohet...të respektohen masat, të parandalohet sëmundja, ndërsa gjithë ajo çka paraqet rrezikim serioz i shëndetësisë, do të duhet sistemi shëndetësor ta absorbojë dhe t’iu përgjigjet nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Do të thotë, që këtej ne i bëjmë të gjitha përpjekjet për rritjen e kapaciteteve të spitaleve. Plus kësaj, për kategoritë sociale të qytetarëve, në pjesën e pagesës së participimit, në pjesën e sigurimit shëndetësor, ne kemi çlirim të atyre qytetarëve mbi bazë të papunësisë, mbi bazë të asaj se janë pranues të ndihmës së garantuar sociale, ne si Ministri e Punës transferojmë mjete drejt Fondit të Sigurimit Shëndetësor”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpanska.
Personat e prekur nga COVID 19 thonë se problem në vete ka qenë dhe izolimi, pasi gjithçka është dashur të porosisin online, duke shtuar se për të mundur virusin mjekët u kanë rekomanduar të marrin ushqim me më shumë vitamina, pemë dhe perime të freskëta.