SBASHK-u kundër qeverisë, të hënën s’ka mësim

Kosovë: Stafi i shkollës duke respektuar masat anti-COVID-19.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës në Kosovë (SBASHK) ka dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që e hëna të jetë dite e zakonshme pune.

SBASHK-u njofton se të hënën, me 30 nëntor, në shkollat e Kosovës nuk do të zhvillohet mësimi për nder të festës së 28 Nëntorit.

“Të premten punëtorët arsimorë në fillimet e orëve të para të mësimit kanë bashkëbiseduar me nxënësit për 28 nëntorin e flamurit kombëtar dhe të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe pastaj kanë treguar se bazuar në Kalendarin për këtë vit shkollor, aprovuar nga MASH [Ministria e Arsimit] e hëna është ditë pushimi dhe kështu edhe do të jetë”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

SHIKONI EDHE: Festa shpirtërore e shqiptarëve, pa festë zyrtare në Kosovë

Duke u thirrur në solidarizim me punëtorët shëndetësorë të cilët janë duke u përballur me luftën ndaj pandemisë së koronavirusit të ri, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se e hëna do të jetë ditë e zakonshme pune.

Por, SBASHK-u bën thirrje që solidarizimi me punëtorët shëndetësorë të ndodhë me rastin e ndonjë feste tjetër.

“Apeli a vendimi që të hënën të punohet në emër të solidaritetit me punëtorët shëndetësor le të përdoret për ndonjë herë e për ndonjë festë tjetër e jo për festën e madhe të flamurit kombëtar”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e SBASHK-ut thuhet se punëtorët e arsimit dhe nxënësit e meritojnë dhe duhet të pushojnë të hënën për ta ndjerë sado pak atmosferën festive e për të lartësuar kujtimin për heronjtë e dëshmorët e kombit.

SHIKONI EDHE: Hoti: 28 nëntori, ditë feste për çdo shqiptar

Të premten, me 27 nëntor, përmes një sqarimi për media, Qeveria e Kosovës, tha se në të gjitha institucionet shtetërore, në institucionet arsimore në të gjitha nivelet, do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti-COVID të ndërmarra nga Qeveria.

Qeveria tha se ky vendim vjen si solidarizim me të gjithë ata të cilët janë në linjën e parë të frontit me pandeminë COVID- 19 [sëmundje që e shkakton koronavirusi i ri].