Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për forcim të lidhjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Përmes një telegrami dërguar presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për nder të 28 Nëntorit, 108-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Osmani tha se flamuri kombëtar simbolizon ndjenjën e ekzistimit të kombit shqiptar.
“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen”, thuhet në telegramin e Osmanit.
SHIKONI EDHE: Festa shpirtërore e shqiptarëve, pa festë zyrtare në KosovëOsmani me tej thotë se si Kosova ashtu edhe Shqipëria janë shndërruar në faktorë paqeje dhe stabiliteti në rajon.
“Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, thuhet në letrën e Osmanit, dërguar presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Këtë 28 nëntor Shqipëria shënon 108-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Shqipëria shpalli pavarësinë në vitin 1912 në qytetin e Vlorës.