Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të premten janë arrestuar tre shtetas të huaj, pasi është pranuar informata nga INTERPOL-i se “shtetas nga Lindja janë të kërkuar për një rast në një shtet tjetër". Siç merret vesh, bëhet fjalë për një vrasje e cila ka ndodhur në Bosnjë e Hercegovinë.
“Arrestimi i këtyre tre personave është bërë vetëm duke u bazuar në pamjen e tyre, pasi të njëjtit nuk posedojnë dokumente personale. Policia do ta trajtojë bashkë me institucione vendore dhe ndërkombëtare këtë rast dhe do të merren hapat e mëtejmë bazuar në procedura ligjore“, thuhet në deklaratë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kantonit në Sarajevë ka thënë të premten se një person është arrestuar në Prishtinë, e i cili dyshohet për një vrasje dhe dy tentim-vrasje në vendbanimin Ilixha në Sarajevë më 17 nëntor.
"Ai person u privua nga liria nga policia e Prishtinës pranë një shtëpie të shkatërruar në Emshir dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente, masa dhe veprime të mëtejshme po merren për ekstradimin e tij", thuhet në një njoftim të autoriteteve të Bosnjë e Hercegovinës.
Vetëm një ditë më parë, më 26 nëntor, një i dyshuar tjetër për vrasjen në Ilixha, një shtetas maroken, 31-vjeçar, i cili ishte fshehur në një hotel, u arrestua në Beograd.
Në njoftimin nga Ministria e Brendshme e Kantonit Sarajevë thuhet po ashtu se arrestimet në Prishtinë dhe më 26 nëntor në Beograd, ishin rezultat i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë midis policisë së Kantonit të Sarajevës, Serbisë dhe Kosovës.
Në orët e vona të mbrëmjes së 17 nëntorit, në lagjen “Sarajevo” të Ilixha, gjatë një përleshjeje midis disa personave, një person u vra dhe dy persona u plagosën.
Policia e Kantonit të Sarajevës thotë se tre persona dyshohen se kanë kryer veprat penale “vrasje” dhe “lëndim të rëndë trupor”.
Disa dhjetëra qytetarë protestuan në vendbanimin e Ilixha, pas kësaj vrasjeje, duke kërkuar që autoritetet të marrin masa urgjente për të mbrojtur qytetarët nga migrantët.