Nga rreth 1 miliard euro humbje sa vlerësohet se shënuan bizneset në Kosovë gjatë pandemisë me COVID-19, Qeveria e Kosovës, deri më tani, i ndihmoi ata me vetëm rreth 150 milionë euro.
Në pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, bizneset gëzuan një mbështetje financiare prej mbi 60 milionë euro.
Me këto mjete ishte paraparë mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 eurosh për 2 muaj, subvencioni i qirasë deri në 50 për qind të vlerës e të tjera.
Ndërkaq, nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës, i cili kap vlerën e më shumë se 350 milionë eurove, u ndanë 60 milionë euro për biznese, në bazë të listës së numrit të punëtorëve.
SHIKONI EDHE: Ndihma e limituar e komunave për bizneseNga kjo shumë përfituan rreth 36 mijë biznese me më shumë 200 mijë të punësuar. Bizneset kanë përfituar nga 290 euro për secilin punëtor të punësuar.
Humbjet ekonomike që nuk u kompensuan
Por, krahasuar me ndihmën që ka dhënë shteti për bizneset, humbjet janë shumë herë më të mëdha.
Vetëm, sipas të dhënave të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës, bizneset në Kosovë kanë pasur afër 1 miliard euro më pak qarkullim gjatë periudhës së pandemisë, krahasuar me vitin e kaluar.
SHIKONI EDHE: Bizneset vazhdojnë me humbje, shteti heshtTë hyrat e aktiviteteve ekonomike që u prekën më së shumti nga pandemia COVID -19, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP është industria e ndërtimit, pasuar nga tregtia, transporti, akomodimi dhe gastronomi.
Zhvillimet e pafavorshme në ekonomi janë reflektuar edhe në të hyrat buxhetore, ku sipas Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës deri në fundin e vitit 2020, do të ketë rreth 300 milionë euro më pak të hyra për buxhetin e Kosovës.
Ndihmë për të mbijetuar
Humbjet e bizneseve në Kosovë nisën që nga vendosja e masave të para për parandalimin e përhapjes së koronavirusit më 13 mars, atëherë kur edhe u shënuan rastet e para me koronavirus në Kosovë.
Për këta tetë muaj bizneset deklaruan për humbje të mëdha.
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane, Aleancës Kosovare e Biznesit, Odës së Afarizimit dhe shumë organizata tjera ekonomike kërkuan ndihmë nga qeveria për bizneset, por, që ndihma që shteti ndau, u vlerësua se nuk ishte e mjaftueshme.
SHIKONI EDHE: Si do të mund ta qetësojë Kosova tronditjen e pritshme ekonomike?Përveç ndihmës, e cila ishte e pamjaftueshme, autoritetet e Kosovës dështuan edhe të miratojnë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, që ka për qëllim t'i ndihmojë bizneset që kanë pasur humbje nga pandemia COVID-19.
Ky projektligj, pas gjashtë dështimesh për miratim në Kuvendin e Kosovës, ka arritur të miratohet vetëm në lexim të parë më 13 korrik.
Në këtë Projektligj, është paraparë që “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) të autorizohet që të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”. Gjithashtu, kontribut-paguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Komuniteti i biznesit paralajmëroi krizë financiare te bizneset deri te falimentimi i tyre, nëse nuk miratohet ky ligj dhe bizneset nuk ndihmohen nga shteti.
Pandemia mbylli biznese
Gjatë periudhës shkurt – tetor, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, janë mbyllur 761 biznese, të cilat kanë pasur të punësuar 1,316 punëtorë.
Numri më i madh i bizneseve zyrtarisht të mbyllura kanë punuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga industria përpunuese, hoteleria dhe akomodimi. Në listën e bizneseve të mbyllura figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit, informimit dhe komunikimit dhe sektorë të tjerë.
SHIKONI EDHE: Pandemia ua vë drynin mbi 750 biznesevePor, numri i bizneseve të mbyllura u konsiderua të jetë më i lartë nga Oda e Afarizmit të Kosovës. Sipas të dhënave të kësaj organizate jo të gjitha bizneset, të cilat kanë shuar aktivitetin e tyre gjatë pandemisë, kanë filluar procedurat e mbylljes.
“Numri i bizneseve që sot nuk po funksionojnë janë me mijëra”, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i kësaj shoqatë Skender Krasniqi.
Papunësia shënoi rritje
Niveli i papunësisë është rritur gjatë periudhës së pandemisë. Masat për parandalimin e koronavirusit ndikuan që shumë biznese të reduktojnë numrin e të punësuarve.
Numri i saktë i personave që kanë humbur vendin e punës nuk dihet, por Oda e Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Afarizmit kanë thënë se kemi të bëjmë me rreth 30 mijë të punësuar që gjatë pandemisë mund të kenë humbur vendin e punës.
Numri i qytetareve të regjistruar si të papunë në Agjencinë e Punësimit, shënoi rritje në këtë periudhë. Sipas të dhënave të APK-së numri total i të regjistruarve si të papunë deri në korrik është mbi 180 mijë.
Papunësia në Kosovë në vitin 2019 ishte 25.7 për qind.
Ekonomia e Kosovës, rënie në rreth 7.2 për qind
Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore te Kosovës, ekonomia e vendit këtë vit pritet të shënojë rënie prej rreth 7.2 për qind si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat ndikuan negativisht në pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike në vend.
SHIKONI EDHE: Nga një krizë virusi në një krizë ekonomikeNdërkohë, raportet e BQK-së vënë në pah se sistemi bankar i Kosovës është mjaft mirë i kapitalizuar dhe likuid.
Bankat komerciale në Kosovë, sipas të dhënave të BQK-së, vazhdojnë të kreditojnë ekonominë e Kosovës.
Gjithsej kreditë në muajin gusht 2020, sipas BQK-së, janë në shumën prej 3.02 miliardë eurove, duke vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, me një rritje vjetore prej 7.6 për qind.
GAP: Bankat do të reduktojnë dhënien e kredive
Instituti GAP në hulumtimin e tij thotë se vazhdimi i kredidhënies është i domosdoshëm në mënyrë që të mundësohet stimulimi i konsumit të ekonomive familjare dhe investimet në sektorin privat.
Megjithatë, sipas GAP-it, në muajt në vijim kur pritet që gjendja e sektorit privat të vështirësohet edhe më tutje, fakti se bankat komerciale janë likuide dhe me kapital të lartë mund të jetë i pamjaftueshëm për të vazhduar kreditimi.
Bankat mund të vlerësojnë se ekziston një ambient i rrezikshëm për ofrim të kredive të reja dhe si rezultat të reduktojnë kreditë e reja edhe më shumë.
Në këtë situatë, GAP sugjeron që Fondi Kosovar për Garanci Kreditore mund të luajë një rol kyç në marrjen përsipër të një pjese të rrezikut dhe të mundësojë vazhdimin e kredidhënies. Fonde të ngjajshme u treguan efektive në shumë vende të botës gjatë krizës globale financiare.