Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se partitë parlamentare i kanë dy opsione: të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve.
Përmes një komunikate për media, nga zyra e kryeministrit, thuhet se “informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen e kryeministrit janë të pavërteta”.
Mediat lokale kanë raportuar më herët se kryeministri i Kosovës ka paraqitur dorëheqje.
“Kryeministri Hoti ka dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime, arritja e marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në komunikatë.
SHIKONI EDHE: Përplasje e re, mospajtime të vazhdueshmeNë Kosovë brenda disa muajsh duhet të zgjedhet presidenti i ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Specializuar.
Ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.
Partnerët e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat) kanë edhe pesë muaj kohë për arritjen e dakordimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
SHIKONI EDHE: LDK-ja kërkon marrëveshje të gjerë për presidentinMë 24 nëntor, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar thirrjen e një takimi me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk janë opsion.
Deri më tash, vetëm lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur hapur synimin për t’u bërë president i vendit, por ai nuk është mbështetur nga LDK-ja.
AAK-ja ka thënë në vazhdimësi se nëse kandidati i tyre nuk zgjidhet president, atëherë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Sipas Kushtetutës zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.
Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.