Trump fal ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka falur ish-këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, i cili është shpallur fajtor se e ka gënjyer Byronë Federale të Hetimeve (FBI).

Presidenti tha se akti i faljes ishte "nderi i madh" i tij, dhe po bëhej në prag të festës së Falenderimeve.

Michael Flynn

Flynn ishte njëri ndër ish-ndihmësit e presidentit Trump, i dënuar gjatë një hetimi të departamentit të drejtësisë për ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Flynn, gjeneral ushtarak i pensionuar, është deklaruar fajtor dy herë se e ka gënjyer FBI-në për bisedat që ka pasur me ambasadorin rus në SHBA, gjatë tranzicionit presidencial në fund të vitit 2016 dhe të fillim të vitit pasues.

SHIKONI EDHE: Gjykatësi thotë se ish-ndihmësi i Trumpit “e shiti” SHBA-në

Mirëpo ai ka synuar të tërheqë deklaratën e tij, duke thënë se prokurorët i kanë shkelur të drejtat dhe e kanë shtyrë drejt një marrëveshjeje pranimi.

Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se falja më në fund do t'i jepte fund "ndjekjes së pamëshirshme të një njeriu të pafajshëm".

Deklarata e saj e përshkroi Flynn si "viktimë e zyrtarëve qeveritarë të angazhuar në një përpjekje të bashkërenduar për të përmbysur zgjedhjet e 2016-ës".

Falja nxiti kritika nga ligjvënësit demokratë, përfshirë kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila e quajti atë një "një akt të korrupsionit të rëndë dhe abuzimit të pacipë të pushtetit".

SHIKONI EDHE: Mueller rekomandon lirimin e Flynnit nga dënimi me burgim

Kryetari i Komitetit të Drejtësisë të Dhomës, Jerry Nadler, tha se falja ishte "e pamerituar, joparimore dhe një njollë tjetër në trashëgiminë e presidentit Trump".

Trump e shkarkoi Flynn në shkurt të vitit 2017, por presidenti pretendoi se hetimi ishte një "gjueti shtrigash" politike dhe se Flynn ishte një "njeri i mirë".

Rusia ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.